Organigrama e grabitjeve të rilindjes nxjerr para kudo ku ta prekësh. Një herë një pastruese vjedh punëdhënësen e vet dhe nga tubi i aspiratorit derdhen “rastësisht” gjysëm milioni euro.
Një herë SPAK sekuestron celularët për tendera rrugësh dhe papritmas kap një vjedhje në KESH. Kështu ka ndodhur edhe herën e fundit, kur prokurorët e posaçëm po hetonin skemën e kompanive përmes të cilave dyshohet se bënte korrupsion ish-drejtori i rrugëve Evis Berberi.
Ish-krahu i djathtë i Belinda Ballukut, që shihej kudo pas saj në videot promovuese u arrestua në mars të këtij viti. Prokurorët që e akuzojnë për korrupsion dhe pastrim parash dyshojnë se nën ombrellën e zv kryeministres është ngritur një skemë tjetër e ngjashme me atë 5D duke u nisur nga fakti se Berberi u kishte dhënë tendera publikë të njëjtëve biznesmenë me të cilët kishte qenë edhe në marrëdhënie private, për shitblerjen e një kompanie. Këto hetime vazhdojnë ende, por e bukura është se si efekt kolateral i tyre duket se e ka pësuar edhe kryebashkiaku aktual i Shkodrës, Benet Beci.
Si është e mundur dhe ç’lidhje ka mund të pyesë dikush?
Historia është sa rastësore qa edhe qesharake. Sikurse e kanë bërë zakon agjentët e BKH ata ia behin për kontroll të befasishëm në shtëpitë dhe të afërmit e atyre që prangosin.
Kështu ka ndodhur dhe me rastin Berberi. Ata nuk kanë gjetur vetëm udhëtime turistike të paguara nga klientët për atë vetë, bashkëshorten e tij Adela Ruko dhe fëmijët e tyre të mitur, por për të zbuluar më shumë kanë sekuestruar edhe celularin e Adelës. Ashtu si i shoqi edhe ajo i kish pasur shpatullat të ngrohta për të siguruar një vend pëllumbash në administratën shtetërore. Pra, Belinda Balluku ishte kujdesur ti sistemonte si familje.
Adela në vitin 2020 kryente dhe detyrën e kryetares së Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të një tenderi në KESH. Bëhej fjalë për një garë të shpikur gjoja për të kontraktuar një kompani që do hartonte një studim për strategjinë e sektorit energjetik. Në atë kohë, kreu i KESH, aktualisht kryebashkiak i Shkodrës. Atij me sa duket i ishte propozuar që studimi në fjalë do të bëhej nga një kompani me përvojë nga universiteti me famë i Harvardit. Sigurisht duke i njohur rregullat e lojës Benet Beci nuk mund të kundërshtonte.
Pikërisht kjo duket qartë në bisedat që janë ruajtur në celularin e sekuestruar. Celulari është i zonjës Adela Ruko, por atë e ka përdorur bashkëshorti i saj, Evis Berberi për ti shkruar në numrin e tij personal Benet Becit, shefit direkt të gruas që drejtonte komisionin e tenderit. “500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë euro për ne me dy klasë shkollë” i ka shkruar ai Becit.
Pra, fjala është për të ndarë mes tyre afro 40% të shumës 834 mijë euroshe. Ngjarjet e mëvonshme reagojnë se gjithçka është zhvilluar sipas parashikimeve dhe të gjitha gjasat janë që po ashtu të jenë ndarë edhe paratë.
Po a kemi të bëjmë këtu me një korrupsion të rastësishëm që u zbulua papritur nga marrja e një telefoni për arsye të tjera? Jo tamam.
Dokumenta të nxjerra në dritë nga media Kapitali.al kanë treguar se e vërteta e këtij abuzimi nuk fshihej vetëm në bisedat e koduara të aplikacionit WhatsApp të Adela Rukos. Ndarja e parave ishte një e fshehtë publike.
Që në vitin 2022 Kontrolli i Lartë i Shtetit pati hedhur dyshime për tenderin e zhvilluar në janar të 2021, e që ishte fituar nga kompania e vetme që garoi me 99.8 për qind e fondit limit. Sipas KLSH-së ky tender ishte fare i panevojshëm pasi tashmë ekzistonte një strategji e sektorit energjitik e hartuar më parë, nga ministria e Energjisë me ndihmën e donatorëve të huaj.
E dyta dhe më qesharakja që del nga pjesët e KLSH që nga nxjerrë Genc Pollo, në dokumentin e përgatitur nga “profesorët e Harvardit” është se ata servirnin vetëm të dhëna nga institucionet tona publike si psh tatimet, INSTAT, Banka e Shqipërisë, të cilave këto informacione ia kishte dhënë vetë KESH.
Por, pavarësisht estradës, puna u krye dhe me siguri paratë u ndanë sipas planit.
Por, kjo histori tragjikomike, nxjerr në pah shumë më tepër se njollosja me vulën e mundshme prej hajduti të njeriut që u shndërrua në simbolin e rilindjes, në zgjedhjet e fundit lokale, për arsye se i ktheu asaj bastionin e Shkodrës.
Ajo shkon përtej marrjes së Benet Becit si i pandehur nga SPAK. Prej saj rrjedhojnë disa pyetje që flasin për batërdinë e abuzimit me paranë publike. Sepse aty përfshihet krahu i djathtë i Belinda Ballukut, Evis Berberi, që akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Por ky zyrtar i lartë kishte sistemuar dhe gruan, Adela Ruko, në vend pëllumbash në administratë. Pra, pa i mjaftuar paratë e rrugëve, gjithë familja qe rregulluar nën çadrën e Belindës. Edhe ajo qe drejtuese tenderash, aq e përfshirë sa, njeriu me të cilin ndante krevatin është kapur në allishverishe me njeriun që ndante zyrën. A dinte gjë Balluku për këto? Le ta zëmë se jo, se edhe asaj i hanin kumbulla dhe dardha pas shpine. Po çbëri ajo kur u njoh me raportin e KLSH, që fliste për tender fiktiv? A vuri ujin në zjarr prej dy vitesh? Apo mos qe dhe ajo një “e pashkollë”, me diploma fallco, që kishte pjesën e saj?
Fakt është se raporti i KLSH ra në vesh të shurdhër. Prandaj kjo ngjarje nuk është një rastësi e çuditshme e dalë në dritë nga një celular i kapur për arsye të tjera. Ajo është simbol i një rrjeti që vijon të punojë si sahat. / Burimi: Lapsi.al