Vrasja e Martinit- Lala: Babai i tij punonte për bukën e gojës, kujdesej për djalin tjetër me autizëm

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” ka treguar njohjen me babain e 14-vjeçarit të ndjerë, Martin Cani, i cili mbeti i vrarë në derën e shkollës.

Lala tha se babai i Martinit, Engjëll Cani punonte pranë SPAK në një lokal dhe se gazetarët që rrinë shpesh në atë zonë, e njihnin si një punëtor të përkushtuar. Ajo tha se ai punonte për bukën e gojës dhe se kujdesej për djalin tjetër që e ka më të vogël dhe me spektrin e autizmit.

Gazetarja tregoi për tronditjen e tij kur mori vesh lajmin se i biri ndodhej në spital.

“Babain e Martinit e kam njohur nga afër, sepse punon në një nga lokalet përballë prokurorisë së Posaçme. Atë natë në mbrëmje e kam marrë vesh, më telefonoi një mikeshë e traumatizuar, se si Engjëlli nuk po dilte dot nga dera e lokalit sepse ishte tronditur shumë dhe vajti me uniformën e punës në spital.

Engjëlli është shembull për të gjithë, fiton bukën e gojës me punën e tij, dilte te lokali, kur rrinim me orë të tëra, na thoshte kemi ëmbëlsira hajdeni. Ëngjëlli ka dy djem, Martini tani nuk jeton më, djali tjetër vuan nga spektri i autizmit. E kam diskutuar me të, më ka treguar se si kujdesej për djalin tejtër”, tha Lala.

Gazetarja Lala foli për akuzën që rëndon mbi autorin e vrasjes dhe për problematikat e të rinjve sot.

“Nesër autori i dyshuar do të përballet me gjykatën. Policia e Tiranës e referoi fillimisht si vrasje me dashje, por prokurorja Alma Felaj e ka rënduar ditën e sotme, duke e akuzuar atë për vrasje në rrethana cilësuese, sepse ka dalë në konkluzionin, që viktima i mitur, prokuroria ka ngritur akuzën më të rëndë. Për shkak të moshës së mitur, ligji ka një kufi, rrugës do të përfitojë. Duhet të shohim hetimet pastaj si do të shkojë.

Është një ngjarje që na na bën të reflektojmë, të shohim si po edukohet ky brez. Mekanizmat mbrojtëse. Unë jam nënë e dy vajzave. Vajza ime e madhe po shkon 13 vjeç, jam në situatë të vështirë, se si të qasem me fëmijën. Së pari fillon me familjen dhe kemi të vështirë se si komunikojmë. Pastaj shkon te mësuesit, psikologët që nuk janë prezentë në shkolla, oficeri i policisë që është i pamjaftueshëm, policia që nuk i menaxhon rastet si duhet, ministria, shëndetësia. Në rastin e Martinit, nuk e çuan në spital me ambualncë por nga një kalimtare, sepse ambulanca po vonohej. Pastaj drejtësia, burgjet, që nuk rehabilitojnë, por rikthehen në krim. Teknologjia, bullizmi. U përpoqa t’i mbaj fëmijët larg televizionit, por e mësuan në shkollë. Kam marrë pafund pyetje nga vajza e madhe.

A ka kontroll në shkollë? A duhet më shume prezencë policie? A duhet të ketë psikologu një panoramë të atyre që janë kontigjentë? A mund të ketë fëmijë që kryejnë krime, duke qenë të bullizuar në shkollë? Sot një fëmijë nuk mund ti veshësh të njëjtën bluzë, sepse bullizohet, je i varfër, je fakir që nuk vishesh si duhet.

Fillon që në Parlament, gjuha e parlamentarëve, shantazh, dhunë, që këtu fillon”, tha ajo.

Latest articles

Related articles