“McGonigal afera e shekullit”, Basha: Nëse SPAK do bëj punën e vet deri në fund, Edi Rama do përballet me drejtësinë

Në një intervistë për podkastin “Të Pashoq”, kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, deklaroi se Edi Rama mund të përballet me të njëjtat pasoja si Sali Berisha dhe Ilir Meta, nëse SPAK do të kryejë detyrën e tij deri në fund. Ai u shpreh se, pas lidhjeve të Ramës me aferën McGonigal dhe akuzave të tjera, kryeministri nuk mund të ndjehet i sigurt.

Basha theksoi se Rama ka tentuar të ndikojë dhe të kapë SPAK-un, por shtoi se, nëse ky institucion vepron pa presione politike, të tre liderët mund të gjenden përpara drejtësisë për aferat e mundshme korruptive.

Basha ritheksoi mbështetjen e plotë për SPAK, që sipas tij është jetike për të ardhmen e vendit.

Pjesë nga intervista:

Lulzim Basha: Ajo që është frustruese është padiskutim, është ajo se çfarë po ndodh me Edi Ramën? Dhe kjo është pikërisht, siç ju thash në fillim të këtij bashkëbisedimi që tmerron Edi Ramën. Se në qoftë se shikon zotin Berisha të përballet me këto akuza dhe në fund është drejtësia ajo që do të jap përgjigjen për këto akuza, imagjinoni se çfarë e pret Edi Ramën me të njëjtin standart.

Pyetje: Ju i besoni vendimmarrjes të kësaj drejtësie?

Lulzim Basha: Unë mendoj se sot, gjithmonë në veçanti sot është jetike për të ardhmen e vendit që SPAK të ketë mbështetje totale dhe të pakushtëzuar politike. Por kjo sdo të thotë që SPAK është perfekt, asgjë në këtë botë nuk është perfekt, vetmë Zoti është perfekt.

Pyetje: Nuk e besoni që është i kapur nga Rama, se keni pjesë të retorikës tuajm kështu që kot po e bëj këtë pyetje.

Lulzim Basha: Nuk e vë në dyshim që Rama nga mëngjesi deri në darkë bën gjithçka për të intimiduar, për të kapur, për të vënë nën presion SPAK-un. Por ka dy aleatë këtu që janë Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Pyetje: Po mirë si janë aleatë këta?

Lulzim Basha: Sepse ndajnë të njëjtat halle.

Pyetje: Sot janë të dy liderët e opozitës, dy kryesorët janë në izolim. Njëri shtëpiak prej gati një viti dhe tjetri prej pak kohësh në qelitë e 313-ës.

Lulzim Basha: Sepse në qoftë se SPAK do ta bëj punën e vet deri në fund, së shpejti do t’u bashkohet dhe Edi Rama.

Pyetje: E besoni ju këtë?

Lulzim Basha: Nëse SPAK do të bëjë punën e vet deri në fund, së shpejti duhet t’u bashkohet dhe Edi Rama. Dhe kjo i bën bashkëaksionerë të betejës kundër SPAK-ut.

Pyetje: E keni informacion, apo e keni perceptim?

Lulzim Basha: Shiko, një njeri i cili qartësisht është kapur në aferën e shekullit, aferën McGonigal. Gjurmët e të cilit ndodhen në çdo aferë korruptive madhore si rezultat i së cilës Shqipërisë i kanë humbur miliarda euro çdo vit. Padiskutim ka lënë mjaftueshëm indicja edhe pa kallëzime penale që tashmë janë bërë kundër tij në SPAK, për të mos e bërë gjumin e qetë.

Latest articles

Related articles