Kreu i grupit të tifozëve ultras të Milanit, Luca Lucci, prej 30 Shtatorit të këtij viti i arrestuar, blinte sasi të konsiderueshme droge nga një grup kriminal shqiptar dhe bashkëpunonte me ta në trafikimin e lëndës narkotike nga Amerika e Jugut apo Maroku.
I njohur si drejtuesi i grupimit “Curva Sud Milano”, Lucci është në mesin e 19 të arrestuarve dhe dyshuarve të tjerë, në një operacion të kryer nga njësitë policore kundër krimit ekonomik dhe financiare të Pavias dhe Scico e GdF, me delegim të Dda të Milanos.
Lucci thuhet se është një nga anëtarët e grupeve të narkotrafikut, që “blinte sasi të mëdha lënde narkotike nga Shqipëria, Maroku dhe Amerika e Jugut, për t’u rishitur më pas në Milano dhe provincën e tij”, shkruan “La Stampa”.Hetimet e Fiamme Gialle, të koordinuara nga prokurori Marcello Viola, zv.prokurorja Alessandra Dolci dhe prokurori Gianluca Prisco, janë vazhdimësi e operacionit “Metropoli” që kishte çmontuar grupin e lidhur me familjen Flachi, kjo e goditur në shtator 2022. Me arrestimin e Davide, djalit të ‘bosit Comasina’ të ndjerë Pepè Flachi, i cili u dënua më pas në shkallë të parë me 20 vjet burg.
Klani Flachi po parashikonte edhe zgjedhjen e kryetarit, teksa kishte projektuar edhe strategji të reja bashkëpunimi në biznesin ilegal, sidomos miqësinë me klanin “Ndragheta”.
Gjithashtu bashkëpunimi me shqiptarët dhe amerikano-jugorët, që nga bazat strategjike në kontinentin tjetër, kontrollojnë dërgesat e kokainës në tregjet më të rëndësishme ndërkontinentale.
Ky operacion vuri në rrezik edhe klubet e Milanit dhe Interit, për shkak të lidhjeve të dyshuara të drejtuesve me trafikun e drogës dhe aktivitete të jashtëligjshme.
Gjatë hetimeve u dokumentua importimi dhe shpërndarja e 1000 kilogramëve kokainë, 1000 kilogramëve hashash dhe 173 kilogramëve heroinë. Rreth 250 kilogramë drogë të destinuara për organizatën u sekuestruan dhe shuma prej 800 mijë eurosh cash u kap gjatë fazës së transferimit jashtë vendit.