Në verën e vitit 2025, Britania, vendlindja e transportit hekurudhor, do të ofrojë për herë të parë një tren luksoz me fjetje për të eksploruar Anglinë dhe Uellsin. Britannic Explorer do të nisë rrugëtimin nga Londra dhe do të ofrojë itinerare përmes kodrave piktoreske, luginave dhe bregdetit të mrekullueshëm të Kornuollit, Rajonit të Liqeneve dhe Uellsit.
Ky tren do të ketë 18 kabina luksoze, përfshirë tri suita madhështore, të cilat janë të dizajnuara me një sofistikim të rrallë. Kabina e ekspozuar në Londër këtë javë impresionon me detaje elegante: paneli prej druri dushku të skalitur, tavolinë me buzë mermeri, divan prej kadifeje dhe dysheme të pasur me motive iluzionesh optike.
Dizajnuar nga studioja e njohur londineze Albion Nord, ambienti i brendshëm frymëzohet nga kopshte dhe shtëpi angleze, duke përdorur ngjyra të qeta të gjelbra e krem që sjellin natyrën brenda. Në vagonët e restorantit të trenit, ku shefi i kuzhinës britanike, Simon Rogan, do të krijojë pjatat, udhëtarët do të kenë mundësinë të bashkohen dhe të përjetojnë mikpritjen angleze.
Vagonët e quajtur Malva dhe Samphire janë të dekoruara me tapiceri botanike që kujtojnë barishtet dhe lulet e një kopshti të egër. Një tjetër atraksion i trenit është vagoni i vëzhgimit, i frymëzuar nga epoka viktoriane, që ofron kokteje botanike dhe pije artizanale.
Për ata që kërkojnë relaks dhe qetësi, treni ofron gjithashtu një suitë “mirëqenieje”, me mure prej xhami dhe banak mermeri, si dhe trajtime të ndryshme.Itineraret përfshijnë peisazh të mrekullueshme. Në Kornuoll, udhëtarët do të shijojnë vijën e egër bregdetare dhe fshatrat e vogla përreth Lostwithiel.
Në Rajonin e Liqeneve, bukuritë natyrore përfshijnë majat dramatike dhe liqenet e qeta. Ndërsa në Uells, rruga përfshin parkun kombëtar Snowdonia dhe plazhet e gjera të Pembrokeshire. Eksperienca në Britannic Explorer është një udhëtim i veçantë për të eksploruar natyrën dhe kulturën britanike përmes luksit dhe traditës hekurudhore të kombit.