Banorët e zonës kanë protestuar këtë të diel pranë venddepozitimit të 2100 ton mbetjeve të dyshuara toksike këtu në periferi të Durrësit. Ata kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të tyre, por edhe transparencë për gjithçka po ndodh me hetimet dhe toksicitetin e mbetjeve.
Ndërkaq edhe anëtarë të Këshillit Bashkiak të Durrësit kanë kërkuar transparencë nga Prokuroria, por ende nuk kanë marrë një përgjigje. Këshilltari i bashkisë, Jonuz Myshketa, tha se kjo situatë i prek të gjithë, ndaj dhe Bashkia nuk duhet të heshtë.
“Është shqetësim i gjithsecilit, po si përfaqësues të tyre, të zgjedhur me votë, kemi kërkuar të monitorojmë situatën dhe të jemi të pranishëm në marrjen e kampionëve, të sigurohemi që mbetjet të analizohen në laboratorë të pavarur për të kuptuar rrezikshmërinë reale. Heshtja e bashkisë është e pakuptimtë dhe po dëmton qytetarët”, tha Jonuz Myshketa, këshilltar bashkiak.
Banorë dhe përfaqësues vendorë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe transparencë për situatën e krijuar. Ata janë të vendosur që të nisin protestat deri në marrjen e masave dhe një përgjigje të qartë për llojin e mbetjeve dhe largimin e tyre.



