Anija “Moliva” do të ankorohet në portin e Durrësit ditën e nesërme. Autoritetet përkatëse kanë njoftuar se hyrja e anijes në port do të kryhet rreth orës 07:00 të mëngjesit dhe më pas do të bëhet shkarkimi i kontejnerëve.
“Moliva” mbart në bord 102 kontejnerë të cilët dyshohet se në përmbatje të tyre kanë mbetje toksike, do të shkarkohen ditën e nesërme në një ambjent të sigurtë, larg qendrave të banimit të cilat do të ruhen nën kushtet e sigurisë maksimale. Kjo ngarkesë e cila raportohet të jetë 2100 tonë, do t’i nënshtrohet hetimeve dhe analizave të mëtejshme për të verifikuar dhe rrezikshmërinë që këto mbetje mbartin.
Vetë ministri i brendshëm, Ervin Hoxha, ka thënë gjatë seancës së sotme parlamentare se po punohet për krijimin e kushteve të duhura që ngarkesa të shkarkohet në tokë dhe të kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme mbi produktin.
“Shumë shpejt kontejnerët dot zbresin në një hapësirë publike, e cila po krijon kushtet dhe mundësinë sipas kapaciteteve dhe infrastrukturës për çështjet e sigurisë në ambientet e Durrësit”, ka thënë ministri Hoxha.
Kjo anije ndodhet në Radë të Durrësit që prej mëngjesit të datës 28 Tetor ndërsa nuk i është lejuar t’i afrohet bregut. Ngarkesa që mbart “Moliva” fillimisht është nisur nga Shqipëria për në Tajlandë por u kthye mbrapa pas një alarmi të dhënë nga organizatat ndërkombëtare se kontejnerët janë ngarkuar me mbetje toksike.