Ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato i cilëson të patolerueshme sulmet që bëhen në adresë të SPAK-ut.
Gjatë një interviste për Top Channel ai thotë se rezultatet e SPAK janë e vetmja gjë që kanë ndikuar në integrimin e Shqipërisë.
Pjesë nga intervista:
Gazetari: Ambasador, me të drejtë thatë më herët se nuk komentoni për rastet individuale të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Por si e shihni rezultatin e fundit të Prokurorisë së Posaçme, njëkohësisht sulmet e vazhdueshme ndaj kreut të këtij institucioni, zotit Altin Dumani?
Ambasadori: Pra, ju e dini që unë nuk komentoj, atëherë pse më kërkoni të komentoj? Por jo, po bëj shaka. Nuk do të komentoj. E vetmja gjë që mund të them është se nëse ka një faktor që ka ndikuar në vlerësimin e situatës në sektorin e sundimit të ligjit nga Bashkimi Evropian, janë pikërisht rezultatet që po arrin SPAK-u. Dhe siç thashë, mendoj se duhet ta lejojmë SPAK-un të punojë.
Absolutisht nuk duhet të tolerojmë sulme personale ndaj disa prej përfaqësuesve të këtyre institucioneve të pavarura të drejtësisë. Ne duhet t’i mbrojmë ata. Dhe ky është padyshim pozicioni im për këtë.
Gazetari: Më kanë thënë se gjatë një takimi me donatorët dhe kreun e SPAK-ut, zotin Altin Dumani, ju thatë, citoj: “SPAK-u po luan një rol kyç dhe vendimtar për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”. Ju lutem, mund ta shtjelloni pak më tej deklaratën tuaj në lidhje me këtë?
Ambasadori: Po, është mjaft e qartë që një nga kërkesat që vjen nga BE-ja është që të ketë një historik solid për sa i përket rasteve të ndjekjes penale kundër rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë këtu në Shqipëri. Dhe fakti që SPAK-u ka nisur ta bëjë këtë është absolutisht një shenjë pozitive. Është një shenjë se reforma po funksionon dhe po jep frytet e saj.