Sëmundja infektive e Skabjes që njihet ndryshe në gjuhën popullore si sëmundja e zgjebes është rishfaqur në vendin tonë qysh në janar dhe vazhdon deri më sot.
Mjekët dermatologë të QSUT-së qetësojnë duke thënë se rastet janë rutinore si gjatë gjithë vitit, por ajo që përbën shqetësim është rezistenca ndaj mjekimit.
“Vizitat në ambulator në QSUT tregojnë se nuk ka raste të shtuara me skabie. Kemi raste rutinore si në çdo stinë të vitit. Ajo që konstatohet është rezistenca ndaj mjekimit dhe kjo për shkak të mënyrës jo të mirë të aplikimit të tij. Personat nuk zbatojnë rregullat para dhe pas mjekimit, ndërsa shkojnë sa nga njëra klinikë në tjetrën për të marrë mjekim dhe duket sikur rastet janë në shtim,” thotë dermatologia e QSUT-së, Entela Shkodrani.
Zgjebja transmetohet përmes kontakteve të ngushta dhe kryesisht përmes rrobave, peshqirëve, çarçafëve dhe mes personave të së njëjtës familje.
“Kjo është një sëmundje që kërkon higjienë para dhe pas aplikimit të trajtimit. Rregulli bazë është që kur një person trajtohet me skabie në familje, bashkë me të duhet të trajtohet e gjithë familja në të njëjtën kohë. Mjekimi nuk lë imunitet. Riinfektimi është i mundur nëse nuk zbatojmë rregullat,” shprehet dermatologia.
Por në cilat pjesë të trupit shfaqet më shumë paraziti i zgjebes, që shkakton kruajtje të vazhdueshme dhe irritim të lëkurës?
“Palat e lëkurës, që do të thotë janë sqetullat ose aksilat. Zona inguale, do të thotë rrëzë kofshëve, është barku, pjesa e organeve gjenitale në të dyja sekset. Është gjoksi, kryesishtë edhe pjesa e kycceve dhe gishtave”– tha mjekja.
Ashtu si në çdo rast kur bëhet fjalë për shëndetin, mjekët këshillojnë qytetarët që të paraqiten tek mjeku për diagnostikim të saktë, sapo kanë dyshime se mund të jenë prekur nga zgjebja.
““Kryesishtë mjekimi bëhet me anë të të kremërave ose pomadave që janë me bazë squfuri ose të permetrinës, që në fakt është edhe emri që shkakton skabjen. Mjekimi është individual, jo ccdo person mjekohet njëlloj”– u shpreh mjekja Dajçi.