“Jo deputeti që duam, deputeti që duhet!” Nika ironizon protagonizmin e Çuçit në Vlorë

Nga Gjergji Nika, Antar i Këshillit Bashkiak Vlorë


Mundet ta kuptoj, madje edhe ta mirëkuptoj faktin që 40% e aplikantëve të Republikës në platformën e PS, “Deputeti që duam” të jenë nga Vlora dhe kjo të shpallet nga Blendi Çuçi.
Zaten ne vlonjatëve na pëlqen të jemi gjithmonë në ballë, të parët e në pararojë.
Ajo që nuk kuptoj është se si i dërguari politik i një force politike u flet banorëve si kryetar bashkie, teksa inspekton lagjet që u përmbytën, muret pa leje që po “prishen”, kanalet që po pastrohen apo e vendosin ne krye të tavolinës në mbledhjen e emergjencave civile.
A, se harrova t’u them një këshillë aplikantëve nga Vlora: “Ambicia në jetë është gjë e mirë, por Parlamenti duhet të jetë destinacion fundor i karrierës dhe jo pika e fillimit të karrierës.
Se pastaj ndodh si më sallën e Kuvendit të dekadës së fundit apo ne Këshillin Bashkiak ku treçereku nuk flasin kurrë, por vetëm marrin rrogat e dietat duke konsumuar mandatin në anonimat të plotë.
S’u dimë emrat, s’u njohim fytyrat, s’u dëgjojmë kurrë zërin, s’ua dimë idetë… Nuk u njohim as nivelin e ekspertizës që sjellin në pushtetin ligjbërës të vendit dhe as çfarë mendojnë për temat e mëdha që debaton parlamenti apo këshilli.
Mund të jenë të dëgjueshëm e kokëulur, por jo gjithmonë kjo është diçka pozitive.”
Shqipëria sot ka nevojë jo për deputetin që aplikon dhe do të bëhet, por për deputetin që DUHET!

Latest articles

Related articles