Javën e kaluar, kur ujërat e përmbytjes biblike në Vlorë u tërhoqën nga qyteti , 17 këshilltarë bashkiakë të opozitës morën iniciativën dhe firmosën kërkesën për mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak për të diskutuar për përgjegjësitë për situatën që u krijua në qytet.
Kërkesa jonë u refuzua paraprakisht nga drejtuesit e Bashkisë, por me vonë u konsiderua nga administrata e Këshillit Bashkiak duke e argumentuar.
Por do të ishte normale në rast se do të refuzohej me argumenta dhe e bazuar në ligj dhe jo me një gjuhë arrogante njerëzisht të velur nga pushteti, njerëzish që nuk bëjnë asgjë, por bëjnë gjithçka për së prapthi.
Çfarë presin të ndodhë?
Qindra familje të përmbytura e të pabanueshme. Mijëra pajisje elektroshtëpiake të shkatërruara nga uji.
Qindra biznese në prag të falimentimit nga përmbytja, e cila i shkatërroi.
Dëme materiale për bizneset, të cilat kapin vlerën miliona euro.
Rrugët e qytetit, sidomos ato të brendshme, edhe tani pas dy javësh janë plot baltë të tharë, e cila në shiun më të vogël do të shkojë përsëri e do të bllokojë kanalizimet.
Vlora rrezikon epidemi nga era e keqe e mikrobet që ngelën nga përzierja e ujërave të bardha me ato të zeza. Mushkonjat janë aq të shumta, saqë njerëzit ankohen (shikoni denoncimet në rrjetet sociale!).
Mijëra makina të dëmtuara nga përmbytja, jo për faj të qytetarëve dhe që do të shkojnë për skrap!
Në rast se kjo nuk është situatë e jashtëzakonshme, atëherë cila situatë është?
Dhe bashkia çfarë ka bërë? Inspektoi? Shpërndau disa pako me oriz e makarona sa për të bërë foto?
Përgjegjësi zero!
Fjalë të përgjithshme dhe fjalë në erë.
Dhe arrogancë!
Por përgjegjësia ka emër! Dhe emri është PAAFTËSI totale!
Dhe arroganca ka emër!
Dhe emri është një administratë e paaftë që krihet nëpër karnavale e koncerte tallava, kur qyteti përmbytet, qytetarët dëmtohen, shpresa vritet dhe ekonomia e qytetit shkatërrohet!
Dhe që kthen disa përgjigje “zyrtare” duke shkelur ligjin e duke fyer inteligjencën e qytetarëve dhe këshilltarëve bashkiakë të opozitës , por edhe pjesës të shëndoshë te pozitës te cilët e kundërshtojnë por nuk e thonë.
Në vend që të reflektonin, në vend që të përpiqeshin të mendonin e të vepronin me mënyra të tjera, me modele të tjera. Më pastër, më qartë, më ndershmërisht!
Ose edhe sa për sy e faqe të pranonin përgjegjesitë e të mos vinin pjesa më e madhe e tyre që mbledhja të mos bëhej vetëm per këtë fakt. Dhe të lanin gojën në këtë mënyrë!
Por as këtë nuk e bëjnë!
Sepse janë të paaftë, arrogantë e symbyllur përpara sfidave të kohës, sepse nuk mesohet Algjebra pa mësuar Abetaren dhe Aritmetikën.
E kam thënë dhe do e përsëris vazhdimisht: Strukturat e zgjedhura të qeverisjes vendore të Vlorës kanë qenë të paafta të qeverisin me eficencë, transparencë dhe përfshirje të qytetarëve në vendimmarrje, dhe është detyra dhe sfida e Kryetarit ta ndryshojë ketë pjesë.
Pavarësisht deklamimeve dhe reklamës, qeverisja vendore e Vlorës ka qenë një qeverisje e mbyllur dhe ka dështuar në organizimin dhe përfshirjen e faktorit komunitar, përveç atij politik opozitar.
Llogaridhënia e munguar e organeve vendore të Vlorës mbi shpenzimet e buxheteve vendore ka sjellë uljen e besimit të qytetarëve dhe bizneseve e për pasojë, rënien e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore.
Bashkia e Vlorës është kthyer në institucionin që ka ndryshuar destinacion, nga shërbëtor në institucion abuzues, inefiçent, jo transparent e jollogaridhënës dhe çdo ditë e më shumë, shkel ligjin dhe abuzon me taksat stratosferike që u vendos qytetarëve e bizneseve.
Dhe kjo gjendje do të vazhdojë për sa kohë qytetarët dhe po e përsëris nuk i kapin me shqelma e t’i nxjerrin nga zyrat të gjithë ata zyrtarë, që kanë vite që vegjetojnë e nuk bëjnë asnjë punë, ose bëjnë punë për së prapthi.
Kam edhe një pyetje: A do të jenë kaq arrogantë kur të përballen me akuza për shpërdorim të detyrës?
Dhe do të përballen shumë shpejt sepse opozita do të ndjekë çdo hap që arroganca, paaftësia dhe abuzimi të marrin fund!