Shqipëria e Edi Ramës si “vendgrumbullim” i mëkateve të Evropës

nga Anita Likmeta

Shqipëria e Edi Ramës është një vend i mbetur pezull, një vend ku historia nuk është kurrë vetëm e shkuara, dhe ku moderniteti nuk është asnjëherë realisht e tashmja. Është një teatër ku drama e ekzistencës ballkanike, zhvillohet midis nostalgjisë dhe zhgënjimit, mes aspiratës për liri dhe përjetësimit të skllavërisë së padukshme të historisë së vet.

Për ta thënë me fjalët e Pier Paolo Pasolinit, realiteti atje është më kompleks se sa duam ta pranojmë. Shqipëria nuk është vetëm një vend ballkanik. Ajo është një metaforë e vetë Evropës, me kontradiktat e saj më të mëdha, dhe me lëkundjen e vazhdueshme midis premtimit për t’u bërë një vend vërtet demokratik dhe rrezikut të rikthimit tek autoritarizmi. Marrëveshja me Giorgia Melonin për të pritur emigrantët e refuzuar nga Italia, nuk është thjesht një lëvizje politike, por simboli i një vendi që e ofron veten si një “vendgrumbullim” i mëkateve të Evropës.

Si një regjisor i zoti, Edi Rama e kuptoi se për ta mbajtur vendin në skenën ndërkombëtare, duhet të bësh atë të duket i dobishëm në sytë e më të fuqishmëve. Nuk është një lojë pushteti, por një kompromis i domosdoshëm:Shqipëria nuk ka luksin të jetë e parëndësishme.

Në rastin në fjalë nuk kemi thjesht një krizë humanitare:mirëpritja e emigrantëve është gjithashtu, dhe mbi të gjitha, një strategji për të marrë fonde, për të larë rrobat e pista të të tjerëve, në mënyrë që ato të përzihen me tuajat, me vetëdijen se Shqipëria, e vogël dhe e brishtë, duhet të mbijetojë në një mjedis armiqësor.

Por njëkohësisht, kjo lëvizje pasqyron realitetin e një kombi që bëhet bashkëpunëtor i një Evrope të paaftë për të zgjidhur dramat e saj. Ideja e fundit e propozuar nga mazhoranca qeverisëse e Ramës për krijimin e një mikro-shteti islamik brenda Shqipërisë, të qeverisur nga një klerik i sektit Sufi, na ofron një shembull të mëtejshëm të kësaj strategjie.

Rama duket se dëshiron të bëjë për Islamin atë që bën Papa për katolicizmin, duke e zbutur islamofobinë përmes një autoriteti shpirtëror që i jep një fytyrë më të pranueshme kësaj feje në rajonin e Ballkanit.

Megjithatë, pas kësaj fasade mund të fshihet një e vërtetë më e hidhur: Islami është një pretekst, një pasqyrë në të cilën pasqyrohen frikërat evropiane. Ky “Vatikan i myslimanëve”, nuk simbolizon aq shumë një akt pajtimi se sa një lojë për pushtet, një formë delikate kontrolli, e cila shfrytëzon margjinalizimin për të përfituar nga ankthi.

Të njëjtën logjikë, ndjek edhe propozimi për të pritur të burgosurit britanikë në burgjet shqiptare:Shqipëria është shndërruar në një vend mbeturinash, në një burg për hijet e botës perëndimore. Është logjika në të cilën vendet periferike, marrin përsipër barrën që qendra refuzon të mbajë.

Në këtë aspekt Rama është mjeshtër: Ai e di se Shqipëria nuk mund të konkurrojë me gjigantët, ndaj përdor politikën e ndërmjetësimit, duke u shndërruar në një tregtar që pranon të shesë diçka nga vetja për të mbetur në lojë.

Por pas kësaj sjellje dinake fshihet një pyetje:Çfarë çmimi po paguan Shqipëria për të mos u zhdukur nga sytë e botës? Dhe nga çfarë duhet të heqë dorë që të mbetet e dukshme? Kjo nxjerr në pah një aspekt themelor të politikës bashkëkohore shqiptare:vendi është i paaftë të zhvillojë strukturën e tij ekonomike të aftë për të qenë pjesë e tregut global.

Megjithatë, me gjithë kritikat që mund t’i bëhen Ramës, është e pamohueshme se ai është i vetmi udhëheqës i aftë për të mbajtur të bashkuar një shtet në tranzicion, ende të traumatizuar nga makthi i gjatë i regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Figura e tij, edhe pse e diskutueshme, është në qendër të një demokracie të brishtë, ku opozita duket pothuajse si një fantazmë. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cilësuar non-grata nga Shtetet e Bashkuara, nuk mund të konsiderohet si një rival politik i vërtetë.

Po të rinjtë shqiptarë? Ata ikin, emigrojnë dhe nuk besojnë tek politika, dhe sepse Shqipëria nuk u ofron të ardhme. Ky largim i më të arsimuarve – dukuri që njihet mirë edhe në Itali – është tragjedia e vërtetë e vendit: një demokraci pa qytetarë të rinj është shumë e brishtë.

Parë nga jashtë, ky emigracion duket pothuajse si një formë mërgimi, një denoncim i heshtur kundër një sistemi që nuk ofron asnjë shpresë. Tek e fundit Edi Rama, është bastioni i fundit i një demokracie të brishtë, e cila ekziston vetëm sepse nuk ka njeri aq të fortë sa t’i kundërvihet atij.

Megjithatë kini kujdes:nuk mund të shkëmbehet stabiliteti me përparimin. Ai që ofron Rama është stabiliteti i një vendi të palëvizshëm që nuk di ku të shkojë. Demokracia nuk është thjesht një sistem qeverisjeje, por një formë jetese, një etikë që kërkon pjesëmarrje, kritika, mospajtim.

Dhe Shqipëria nuk e ka zhvilluar ende strukturën civile që e bën vitale demokracinë. Demokracia shqiptare është skenografi, dhe Rama është regjisori, protagonisti dhe spektatori.

Problemi i vërtetë është se Shqipëria është ende e burgosur e historisë së saj. Regjimi i Enver Hoxhës ka lënë plagë të thella, dhe tranzicioni drejt demokracisë është ende i paplotë. Kombi shqiptar po përjeton një dramë epike, ku e kaluara ngjitet pas së tashmes, duke penguar lindjen e të ardhmes. Populli shqiptar është i zhgënjyer, i ndarë mes nostalgjisë për një të kaluar mitike dhe tashmë thuajse të harruar, dhe dëshirës për t’u arratisur nga një e tashme që nuk i mban premtimet.

Me pragmatizmin dhe aftësitë e tij të padiskutueshme komunikuese, Edi Rama, ia ka dalë ta bëjë vendin e tij të dukshëm në skenën ndërkombëtare. Por udhëheqja e tij nuk është zgjidhja, por vetëm një kurë paliative (ndaj një pacienti që po shkon drejt vdekjes), dhe ai vetë është njëkohësisht pjesë e problemit dhe pjesë e zgjidhjes.

Kryeministri shqiptar po mban “për dore” një vend që nuk ka mësuar ende të ecë vetë, por nuk është në gjendje ta bëjë atë të rritet realisht. Prandaj, sfida e vërtetë nuk është vetëm ruajtja e pushtetit, por edhe krijimi i një demokracie që është e gjallë dhe e aftë t’u japë zë atyre që nuk e kanë.

Peripecitë e politikës bashkëkohore shqiptare, duhet të jenë një paralajmërim për të gjithë Evropën: një demokraci pa njerëz, është një farsë. Dhe në këtë kuptim, Shqipëria përfaqëson tragjedinë e një kontinenti që nuk di të dallojë më lirinë nga mbijetesa. “Linkiesta”

Latest articles

Related articles