Kancelari gjerman Olaf Scholz ka pritur të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Procesit të Berlinit, ndërsa ka mbajtur edhe një fjalë hyrëse në tryezën e takimit të tyre.
Scholz u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen më shumë në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, ndërsa shtoi se do të angazhohet personalisht për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Na duhet një dinamikë e re… do t’u thosha miqve nga Beogradi dhe Prishtina sot: Ju lutem mos lejoni që e kaluara t’ju frenojë në rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe prosperuese. Jam i bindur se kjo e ardhme gjendet në BE dhe ekziston vetëm një rrugë që çon atje: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura. Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet, për t’u siguruar se ato e shfrytëzojnë këtë mundësi”, tha Scholz, raporton Radio Evropa e Lirë.
Teksa procesi i Berlinit shënon 10 vite që nga krijimi i tij nga ish kancelarja Angela Merkel, Scholz e cilësoi këtë proces si angazhimin më të mirë rajonal që do të përshpejtojë integrimin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Procesi i Berlinit është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Bashkimi Evropian është i kompletuar me Ballkanin Perëndimor si pjesë të tijën”, tha kancelari gjerman.
Në Samitin e Procesit të Berlinit pritet që të nënshkruhet marrëveshja me planin e veprimit për një treg të përbashkët rajonal 2025–2028 dhe një marrëveshje për rritjen e aksesit në institucionet e arsimit të lartë në rajon.
Rezultatet e samitit do të prezantohen në një konferencë të përbashkët për shtyp nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, të cilët gjithashtu do të marrin pjesë në samit në emër të BE-së.
Kryeministri Edi Rama dhe krerët e 5 shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Samitit të 10-të të Procesit të Berlinit.
Procesi i Berlinit filloi në vitin 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe qëllimi kryesor i formatit ka qenë t’u mundësojë vendeve të Ballkanit Perëndimor të afrohen më shumë me BE-në, teksa presin që të anëtarësohen në familjen evropiane.



