Katër efektivë policie, Shkelzen Xhameta, Sefer Dushku, Arben Koseni, Aranit Koni, janë pezulluar nga detyra nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Njoftimi i AMP-së:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ( Rajoni Elbasan – Korçë) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka ekzekutuar masat e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj 4️⃣ punonjësve të Komisariatit të Policisë Peqin të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
➡️ Komisar Sh.Xh., me detyrë shef seksioni i hetimit të krimeve në volum.
➡️ N/Komisar S.D., me detyrë specialist i hetimit të krimeve.
➡️ Inspektor A.K, me detyrë ndihmës specialist i hetimit të krimeve.
➡️ Inspektor A.K., me detyrë ndihmës specialist i policimit në komunitet.
Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur pas hetimeve të kryera me metoda speciale, ku ka dyshime të arsyeshme bazuar mbi prova për përfshirjen e punonjësve të policisë në shpërdorim detyre, duke lejuar me veprime dhe mosveprime konkrete zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të kultivimit të bimëve narkotike të dy rasteve në banesën e shtetasit R.B.
Në datën 13 shtator ky shtetas është arrestuar nga DVP Elbasan për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, pasi gjatë kontrollit në banesë i janë gjetur bimë të llojit kanabis sativa.
Hetimet vazhdojnë për përfshirjen dhe të punonjësve të tjerë në këtë aktivitet kriminal