“Momenti, Për Shtet” – Axhami i PLL: E djathta është tek Prona, prioriteti ynë

Partia Lëvizja e Legalitetit është dhe mbetet alternativë e djathtë, e gatshme për të adresuar çdo problem të shoqërisë dhe për të ofruar zgjidhje të drejta, në shërbim të qytetarëve, interesit kombëtar dhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Për ne, prioritet i veçantë është të qenit një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, duke vlerësuar maksimalisht ndihmën dhe bashkëpunimin me aleatët tanë euro-atlantik, si një komb i bashkuar nën kurorën mbretërore. Në këto momente të vështira sociale, politike dhe ekonomike, si dhe përballë krizës në të cilën ndodhet opozita dhe e djathta aktuale, ne legalistët kemi detyrimin moral dhe kombëtar të bëhemi promotorë të një aksioni politik që sjell shpresë për zhvillim dhe prosperitet.

Ne besojmë se ka ardhur momenti që individë dhe intelektualë me integritet, si dhe subjekte dhe grupe të tjera interesi, ta konsiderojnë të frytshëm bashkëpunimin dhe bashkimin me ne, si bazë për organizimin e së djathtës në vend. Klasa politike qeverisëse, sidomos ajo aktuale, ka dështuar në misionin e saj, duke tradhtuar interesat e qytetarëve dhe zhgënjyer pritshmëritë që kishin lindur me ardhjen e pluralizmit në Shqipëri.

Sot, Shqipëria mbetet vendi më i pazhvilluar në rajon, me nivele të larta të krimit dhe korrupsionit, si dhe me standarde të ulëta demokratike. Kjo mazhorancë ka devijuar çdo normë të qeverisjes në një shtet pluralist demokratik, duke u shndërruar në një regjim autoritar. Kjo situatë ka sjellë fatkeqësisht shpopullimin e vendit dhe venitur çdo shpresë për të ardhmen.

Opozita nuk ka arritur të organizohet dhe të bashkohet siç duhet, dhe për pasojë, elektorati i djathtë dhe ai gri mbetet i zhgënjyer dhe mosbesues. Por për ne, në misionin tonë të marrë përsipër, indiferenca nuk është opsion. A duhet të pranojmë që vendi të zbrazet dhe kombi të dobësohet deri në atë pikë sa shqiptarët të harrojnë gjuhën, të ndryshojnë emrat dhe identitetin për një mirëqenie që qeverisjet e vendit të tyre nuk ia kanë siguruar?

Kurrë!

Prandaj, le të bashkohemi dhe të punojmë së bashku për largimin e kësaj qeverie të korruptuar dhe për shembjen e këtij sistemi të kapur prej vitesh. Duke u nisur nga kjo situatë, mendojmë se ka ardhur MOMENTI, domosdoshmëria dhe përgjegjësia që Lëvizja e Legalitetit të organizohet dhe të përgatitet për t’u paraqitur si një alternativë politike e djathtë konkurruese në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“ATDHEU MBI TË GJITHA” 🇦🇱

Latest articles

Related articles