Me vjen zor të them të them se ska asgjë të re në lypjen e Presidentit [sdi at të them Shkleqësia e Tij], për zgjerim zyrash, qoftë kjo dhe batutë prej ankthit të mikpritjes..Asgjë të re për kulturën institucionale të shtetit shqiptar post- totalitar. Por edhe lypja ka nivele të ndryshme, finese, etike e politike.
Ka dhe një kulturë anti- lypjeje që i ndajvihet asaj lypsare, veçse vocërrake brenda institucioneve shtetërore. Jo rrallë lufta është mes grupesh e personash se kujt duhet ti lypet. Pra cilt shtet apo bashkësi duhet ti vardisesh për lypje. Lypja politike kërkon nënshtrim, dhe nështrimi shitet si shkëmbim dhe e mirë publike.
Retorika e lypjes është shfaqur në forma të ndryshme. Herë si lëmozhë, herë si projekte zhvillimore, herë e paemërtuar. Por jo rrallë ka qenë borxh publik e nënshtrim politik, e akoma më tepër – lypja ka qenë e mbetet një sferë e luftës personale në politikën e brendshme.
Robert Elsie qe shprehur njëherë se çdo intelektual shqiptar që kishte takuar në Shqipërinë post- komuniste i kishte shprehur deshirën ose nevojën sipas së cilës – vetëm një pushtim nderkombëtar do ta bënte Shqipërinë. Nganjëherë kjo deshirë për të qenë i pushtuar nga jashtë duket si formë çlirimi prej pushtimit dhe abuzivitetit të elitës politike. Por s’do mend që është një vështrim i mjerë dhe prej të atyre që kanë humbur betejën për të mirën publike pa ia nisur fare.
Kam qëlluar para disa vitesh kur vizitonte institucionin ku punoja presidenti i Republikës. Teksa ecte korridoreve të gjëra e të larta të godines ku ndodheshim, presidenti tregonte një anekdotë e cila shprehte vajin se pse çdo gjë e mirë në arkitekturë ishte bërë veç nga pushtuesit fashistë. Vaji ishte edhe si formë pohimi për të ardhmen, se kështu e do puna për qenë dorëjashtë nga pergjegjsia dhe të flirtosh me padronet potencial
Veç dëmit më të madh që i kanë shkaktuar dhe i shkaktojnë kulturës shtetërore, kjo kulturë lypsare vret vetë imagjjnatën dhe nundësinë e një shoqërie të lirë. Lypja institucionale ka shumë burime, e jo pak te lufta vendase politike që e mendon shoqërinë shqiptare si të pamundur kulturalisht për jetë demokratike e të denjë.