Hyrja e teknologjisë në jetën tonë dhe përdorimi i gjerë i mediave dixhitale ka bërë që brezi i sotëm i fëmijëve të jetë i pari që do të rritet në një mjedis me media dixhitale që në lindje.
Por cilat mund të jenë efektet e përdorimit të ekranit në zhvillimin e foshnjave dhe të vegjëlve? A mund të flasim vetëm për efektet negative apo duhet t’u lihet hapësirë edhe atyre pozitive?
Sipas Shoqërisë Amerikane të Pediatrisë thonë se efektet e mundshme negative të mediave dixhitale tejkalojnë ato pozitive, veçanërisht për fëmijërinë e hershme. Për këtë arsye, rekomandohet shmangia e të gjitha formave të aktivitetit dixhital, për foshnjat deri në 18 muaj.Nga muaji i 18-të deri në dy vjet, sugjerohet që koha të jetë e kufizuar dhe të mos kalojë një orë në ditë, mbi ekran. Në moshën dy deri në pesë vjeç, koha maksimale e ekspozimit është një orë gjatë ditës dhe përmbajtja e ekspozimit duhet të jetë e bazuar në monitorimin e përbashkët prind-fëmijë. Kur plotësohen këto kushte, atëherë mund të flasim për efektin pozitiv të teknologjisë në zhvillimin e foshnjave.
Në studimin e ndikimit të kohës para ekranit në zhvillimin gjuhësor të foshnjave dhe të vegjëlve, shumica e hulumtimeve arrin në përfundimin se ndikimi më domethënës është reduktimi i sasisë dhe cilësisë së ndërveprimeve prind-fëmijë dhe një ndryshim në kohën e përbashkët.
Prandaj, koha e kaluar për të parë një program dixhital zëvendëson kohën që mund të ishte shpenzuar duke lexuar një libër, duke bërë një aktivitet krijues, duke bërë shëtitje ose duke bërë aktivitet fizik.
Koha së bashku prind-fëmijë konsiderohet një kusht themelor në procesin e të zhvillimit të aftësive gjuhësore dhe mungesa e saj çon në një reduktim të imitimit, mësimit të fjalëve të reja dhe vonesës në zhvillimin e gjuhës.
Por një tjetër pyetje që lind është nëse ekspozimi ndaj ekraneve mund të ndikojë apo jo në funksionin e trurit.
Një studim i vitit 2018 në Ohio i fëmijëve 3-5 vjeçarë që mati kohën para ekranit dhe ekzaminoi trurin e fëmijëve nëpërmjet imazhit të rezonancës magnetike (MRI) arriti në përfundimin se përdorimi i shtuar lidhej me integritetin më të ulët mikrostrukturor të rrugëve të lëndës së bardhë të trurit, të cilat mbështesin gjuhën, funksionet ekzekutive dhe aftësitë e shkrim-leximit.
Si përfundim, fëmijët me ekspozim më të lartë kishin performancë më të ulët në testet gjuhësore të aplikuara. Pavarësisht përpjekjeve për të hetuar këtë çështje, kërkimi i korrelacioneve midis përdorimit të mediave teknologjike dhe zhvillimit të fëmijëve të vegjël është ende në fillimet e tij dhe ka nevojë për studime të mëtejshme.