Pas nëntë vitesh pritje, Xhamia e Namazgjasë ka hapur dyert sot për të pritur deri në 10 mijë besimtarë myslimanë. Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Turqisë Recep Tayjip Erdogan prenë shiritin e hapjes së xhamisë më të madhe në Ballkan, pasi të dy mbajtën një fjalë falenderuese dhe uruan mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve. Sheshi ishte mbushur me myslimanë shqiptarë dhe turq që kishin udhëtuar për të qenë dëshmitarë të përurimit të xhamisë më të re.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë, Edi Rama zbuloi se Xhamia e Namazgjasë do të drejtohet nga kryemyftiu i Tiranës, Bilal Teqja. Presidenti turk e konsideroi këtë xhami si simbolin e miqësisë së vëllazërisë mes Shqipërisë dhe Turqisë. Kjo xhami është ndërtuar me fondet e qeverisë turke që ka pasur si kusht mospraninë e Bujar Spahiut, Kreut të Komitetit Mysliman Shqiptar. Kjo për faktin se Spahiu ka marrë bursë nga shoqata e Fetullah Gulen që konsiderohet një terrorist nga Turqia. Rama dhe Erdogan mbajtën dhe një konferencë të përbashkët për shtyp para inaugurimit të Xhamisë së Namazgjasë, gjatë të cilës Presidenti turk kërkoi që qeveria të vijonte luftën ndaj organizatës FETO, duke e konsideruar një armik të përbashkët.
Hapja e kësaj xhamie solli dhe reagime nga Opozita. Ish kryebashkiaku Lulzim Basha që firmosi dhe vuri themelet nuk reagoi, por kryedemokrati Sali Berisha përmes një statusi në Facebook e ka konsideruar një ofendim ndaj myslimanëve shqiptarë mungesën e Spahiut në këtë ceremoni. Sipas Berishës, bujaria e besimtarëve myslimanë të Turqisë është përdorur nga Edi Rama për qëllime politike, si dhe për të ngjallur farën e përçarjes së myslimanëve shqiptarë. Erion Veliaj nuk ishte fare në Tiranë.