Vatikani 2.0 i Tiranës – nga Lutfi Dervishi

Vendit ku katolikët, ortodoksët dhe myslimanët ulen këmbëkryq për të pirë raki, vendit ku festat fetare dhe pagane festohen me të njëjtin zell i mungon një element thelbësor – një Vatikan i ri, një vatikan 2.0 jo me Papë, por me dervish.

Kryeministri Edi Rama, që fatin e keq që i ka rënë të qeverisë një vend të vogël e kompenson me idetë e mëdha i ka paraqitur New York Times projektin e “Shtetit Sovran të Urdherit Bektashi”

Vatikani 2.0 do të jetë një shtet i vogel i vendosur në mes të Tiranës. Kryeqyteti ka gjithçka por i ka munguar, një shtet tjetër.

Ndokush mund të pyesë: pse na duhet një shtet, duke pasur parasysh traditën e gjatë të tolerancës në Shqipëri? Kundërpyetja: Pse të kënaqemi me bashkëjetesën paqësore kur mund të kemi një shtet prej 28 ha brenda 28 mijë km2?

Harrojini projektet e zhvillimit si ndërtimi i shkollave, autostradat, hekurudhat apo energjjne, harrojeni vizionin Shqipëria 2030- ajo që na duhet është një shtet tjetër.

Së paku për dy arsye.
Arsyeja e parë është historike. Dy shtete shqiptare janë ndërtuar nga Fuqite e Mëdha. Është radha e shqiptarëve të bëjmë vetë një shtet.

Bektashinjtë, që besojnë se Zoti na dha mendje që të “mendojmë” – një ide revolucionare për kohën që jetojmë janë gati të kenë shtetin e vet në mes të Tiranës. Imagjinoni pak: pasaporta, kufij, trup diplomatik, roje, monedhen dhe territorin me përmasat e çerekut të Vatikanit në Rome. Shteti i ri do të përfshijë të gjitha elementet thelbësore: një sallë lutjesh, një muze, administrate, trup diplomatik. Të gjitha këto brenda një enklave të vogël me kupola, ku rregulli i vetëm do të jetë “nuk ka rregulla”. Gratë? Vish çfarë të duash. Alkooli? Pa mase. Nëse Zoti do ndalonte alkoolin, me siguri nuk do të kishim hardhia.

Arsyeja e dytë për nevojen e nje shteti të ri është gjendja e shtetit 112 vjeçar. Nuk po e ndritim megjithëse bëjmë reforma pas reformash dhe punohet natë e ditë. Korrupsioni në vend që të ulet vjen duke u rritur, krimi organizuar ka arritur nivele persosje. Këto të këqija i kemi që nga koha e Perandorise Osmane. Duhet një shtet i ri, i pa infektuar nga e shkuara që t’i tregojme botës se çfarë jemi në gjendje të bëjmë me duart tona.

Edhe pak kohë dhe bota do të ketë Vatikanin 2.0, edicioni i Tiranës. Kush ka me nevojë për shekujt e burokracisë fetare të Romës kur mund të kesh të njëjtat vlera mistike pikërisht këtu, por me më pak rregulla dhe me më shumë dervishë? Në fund të fundit, përmasat e shtetit nuk kanë rëndësi, e rëndësishme është ideja. Siç thoshte dikur Viktor Hygo: me e fuqishme se forca e një ushtrie të madhe është fuqia e një ideje se cilës i ka ardhur koha!
Ka ardhur koha tjetër: koha e tolerancës fetare, por tani me “kufij”.
Tashmë për besimtaret dhe ateistet ka më shumë zgjedhje: ose te Papa në Vatikan ose te Baba në Tiranë!

Latest articles

Related articles