Rrëfimet e D’Alemas për Kosovën: Takova presidentin serb në klinikën e dentistit tim. Si vendosëm për lirimin e Rugovës

FRANCESCO VERDERAMI

Jam kryeministri që çoi Italinë në luftë. Kriza e Kosovës shënoi përvojën time në drejtimin e qeverisë. Në 21 tetorin e vitit 1998 Massimo D’Alema kaloi derën e Pallatit Chiggi i shoqëruar nga profecia e Francesco Kossigës, simbas së cilës “udhëheqësi i së majtës është i domosdoshëm për të bërë të mundëshme luftën në Kosovë”, të shpërthyer pesë muaj mbrapa.

Ka pra një arsye nëse kryeministri i parë pas komunist i historisë republikane bën hapin e parë duke thënë “ne kemi qënë aleatë të ndershëm të amerikanëve por, së bashku me evropianë të tjerë, në një marrëdhënie dialektike që nuk ka qënë gjithmonë e lehtë”.

Prandaj fillon tregimin mbi luftën në Ballkan duke u nisur nga një ngjarje pararendëse.

Kur qeveria e Romano Prodit ra ishim në një gjëndje para lufte. Në fakt Prodi kishte vendosur l’activation order, që është akti me të cilin qeveritë e Aleancës Atllantike venë Fuqitë e tyre t’armatosura nën komandën e bashkuar të NATO-s. Ishte një çast lufte të mundëshme dhe të menjëherëshme.

Ishte e dukshme se ideja e Prodit për të dalë nga kriza me zgjedhje të parakohëshme nuk ishte realiste. Në këtë drejtim hulumtova presidentin e Republikës.

Oscar Luigi Scalfaro qe i prerë: “Ju jeni të marrë”. Rruga për votime ishte e mbyllur. Ky fakt kushtëzoi të gjithë zhvillimin e krizës. Unë bëra çmos për të shmangur arritjen e luftës. Gjithshka”.

Në ç’kuptim gjithshka?

“Shkova të takoj fshehurazi presidentin e Sërbisë Milan Milutinoviç, që ishte një njeri shumë i afërt i presidentit të Federatës jugosllave Sllobodan Millosheviç. Takimi u organizua nga dentisti im”.

Dentisti i juaj?

“Një njeri, pjestar i asaj bote “xhuliane” që ka jetuar dhe ushtruar profesionin në kapëcyell mes Italisë e Jugosllavisë e që kishte si pacient Milutinoviçin. Në klinikën e tij në Romë organizoi takimin tonë. Qe një bisedë dramatike, sepse ndodhi të nesërmen e plojës së Rajçakut, në të cilën paraushtarakët sërbë kishin vrarë dhjetra civilë kosovarë të etnisë shqiptare. I thashë: “Ju nuk arrini . të kuptoni tragjedinë që keni shkaktuar e që ushqen shtysën për një ndërhyrje ushtarake”. M’u përgjigj në mënyrë cinike: “Ne nuk kemi frikë nga këta kërcënime. NATO nuk do të ketë kurrë guximin për të vënë këmbë tek ne”. Ishte shenjë e një klase politike të papërgjegjëshme që nuk kuptonte atë që po ndodhte”.

Qe atëherë që i u nënështrove luftës?

“Qe më vonë. Kur spastrimi etnik u bë më i fuqishëm, organizuam një mision humanitar së bashku me Shqipërinë në kufijtë e Kosovës. Kalova Pashkën në qafën e Kukësit e pashë mijra të ikurish që largoheshin nga lufta me historitë e tyre të vuajtjeve. Atë ditë u binda se nuk kishte alternativa ndaj një veprimi ushtarak. Ishte pragu i sulmit”.

Kështu vendosët të merrnit pjesë në misionin?

“Së pari pata një bisedim delikat me Bill Clintonin. Ai diskutim me presidentin amerikan do të ishte shumë i rëndësishëm për vazhdimësinë e ngjarjeve e për rolin e Italisë. Clintoni më tha: “Kuptoj që jeni në një pozitë të vështirë. E kuptoj vëshirësinë e qeverisë tënde. Por nëse vini në dispozicion bazat tuaja ushtarake e në NATO nuk kundërshtoni urdhërat e Aleancës, nuk do të jetë e domosdoshme pjesëmarrja e juaj e drejtpërdrejtë. Veprimet do të jenë të bashkërenduar nga një katërshe: Shtetet e Bashkuar, Britania e Madhe, Franca e Gjermania”.

E ju?

“I u përgjigja: në këtë ndodhi nuk do të jetë një katërshe. Do të jetë një pesëshe”. Nëse do t’a kishim katandisur Italinë në rolin e një aeroplanmbajtëse të NATO-s, nuk do të llogariteshim fare, nuk do të kishim patur peshë politike në drejtimin e krizës. Dhe pesëshe qe. Hymë në rrethin e Vendeve që merrnin përgjegjësi të plotë. E patëm dinjitet të barabartë me aleatët. “

Kështu më 24 shkurt 1999 u vutë përkrah tyre, duke filluar sulmin ndaj Jugosllavisë. Dhe pa mandatin e OKB-s?

“Drejtimi i luftës qe i ndërlikuar. E pati çaste kundërshtie të hapur ndërmjet pjesëmarrësve të pesëshes. Ne për shembull ishim kundër bombardimeve të qyteteve serbe. E si neve ashtu edhe gjermanët. “

Por Beogradi u gjuajt?

“Ata veprime u kryen nga amerikanët dhe anglezët me raketa të lëshuara nga aeroplanmbajtëset që qëndronin në Adriatik e aeroplanë që vinin nga Shtetet e Bashkuar, të furnizuar në fluturim para sulmit. Flota e jonë ajrore u përqëndrua mbi trupat serbe që qëndronin në Kosovë, që ishin synimi themelor i veprimit ushtarak.“

Qe i vetmi kalim delikat?

“Çasti më dramatik erdhi në prillin 1999, në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Washington, me rastin e pesëdhjetë vjetorit të Aleancës. Lufta në Kosovë vazhdonte por Millosheviçi nuk prapsohej. Kështu gjatë një mbledhjeje u ndamë”.

Kush ishte veç jush në takim?

“Clintoni, kryeministri anglez Tony Blair, kançelari gjerman Schröder, presidenti francez Jacques Chirac dhe kryeministri spanjoll José Maria Aznar, që ishte ftuar të merrte pjesë. Natyrisht ishte edhe gjenerali amerikan Wesley Clarc, komandani i përgjithshëm i Forcave NATO.

Çfarë ndodhi?

“Blair, i mbështetur nga Aznari, përkrahu nevojën e një mësymjeje të vërtetë me trupa të tokës. Diskutimi u bë shumë i ashpër. Italia, Franca dhe Gjermania kundërshtonin atë zgjidhje. Clarc tha “Do t’a bëjmë kur të na urdhërohet. Kemi plane, por mos mendoni se do të çojmë ushtarët tanë të lëvrijnë si guerrilje në malet e Kosovës. Nëse do të vendosnim për të ndërhyrë do të na duhej të hynim në Serbi. Formalisht mbeti asnjanës, por duke vënë theksin mbi madhështinë e veprimit e mbi rreziqet e tij, na ndihmoi të mbizotëronte arsyeja. Në kundërshtim me atë që mendohe tushtarakët janë gjithmonë më të maturit në kryerjen e luftës, sepse e njohin. Janë politikanët më luftënxitësit.

Mbetej Clintoni për të folur?

“Dhe presidenti amerikan mrekullisht i dha fund diskutimit, duke thënë: “Nuk do të bëjmë asgjë që ndan Evropën. Do të bëjmë atë për të cilën të jemi të gjithë në një mëndje. Presidenti i Shteteve të Bashkuar nuk mund të ndajë Evropën”. Kështu hamëndja e mësyemjes u arkivua. Por, e përjashtuar mësyemja shtrohej problemi si të shtyhej për një zgjidhje politike. Asnjëri gjatë luftës nuk tha kurrë “Duam të fitojmë luftën me Serbinë”. Kjo fjali e marrë nuk u shqiptua kurrë. Ne përsërisnim se trysnia ushtarake kishte si synim t’a detyronte Serbinë të tërhiqte trupat e saj nga Kosova dhe të mbronte popullsinë. Duhej punuar pra për zgjidhjen politike. U a shpjegova amerikanëve”.

Po ata?

“Italia ishte i vetmi Vend që kishte mbajtur të hapur ambasadën e saj në Beograd e kishim ruajtur kanalet. Ata kanale ushqeheshin edhe nga bashkësia e Shën Egjidit e veçanërisht nga arqipeshkvi Vincenzo Paglia, që luajti një rol të rëdësishëm në marrëveshje me qeverinë. I thashë atëherë Clintonit se duhej negociuar me Milloshevicin lirimi i Ibrahim Rugovës: “Gandi i Ballkanit”, simbol i qëndresës jo të dhunëshme kosovare. Ai përfaqësonte pjesën e moderuar të kombëtarizmit kosovar, atë më të prirur për bashkëjetesë etnike me serbët. Rugova ishte në arrest shtëpie e ne negociuam lirimin e tij, në një mëndje me amerikanët. E gjithmonë në një mëndje me amerikanët përziemë edhe Rusinë në ndërmjetësim”.

Por Rusia në OKB a nuk kishte vënë veton ndaj sulmit të NATO-s kundër Serbisë?

“Është e vërtetë, por ish kryeministri rus Viktor Çernomirdin erdhi dy herë fshehtas në Romë. Hëngrëm darkë bashkë në pallatin Kixhi e pastaj thirrëm Clintonin për të përkuar caqet e bisedimeve. Të nesërmen Çernomirdini shkoi në Beograd për të folur me Millosheviçin. E gjithë kjo ndërsa vazhdonte lufta.”

Po Clintoni?

“Kishte vetëm një shqetësim: “Nëse Millosheviçi liron Rugovën, si pacifist ai mund të flasë kundër veprimit të NATO-s. Më besoi. E Rugova u lirua. Qe ndonjë vëzhgues që n’atë kohë shkruajti: “Italia ka liruar një kufomë politike”. Në të vërtetë Rugova qe i çmuar për zgjidhjen e krizës dhe stërfitoi zgjedhjet mbas luftës. Shërbimet tona shkan dhe morën për t’a sjellë në Romë. Sapo mbërriti tha: “Falënderoj NATO-n që po mbron popullin tim”. Isha rrugës kur mora një telefonatë nga Clintoni, që falënderoi për suksesin e operacionit. Toka për zgjidhjen politike ishte përgatitur.”

Çfarë do të thotë?

“Që kjo punë ndihmoi të gjindej një rrugëzgjidhje diplomatike, duke i hapur rrugën nismës zyrtare të presidentit finlandez Ahtisaari. Kur u arrit marrëveshja me Serbinë dhe ajo u tërhoq, në Kosovë nuk u fut NATO, por një trupë ushtarake nën drejtimin e Kombeve të Bashkuar, në të cilën bënin pjesë edhe ushtarakë rusë. Kështu u ndreq edhe ai kuadër ligjor ndërkombëtar që ishte prishur, me që Nato kishte vepruar pa miratimin e OKB-së. Nëse mendoj të djeshmen e shoh sot ajo që më bën përshtypje është: ku ka mbaruar politika? Ku qëndron mundi për të ndërtuar një skenar të pranueshëm mbrapa?”.

E keni fjalën për luftën në Ukrainë?

E kam fjalën për disa fjalime pa kuptim, për disa njerëz që thonë “Duhet të fitojmë luftën”. Mendoj për Blair-in apo ish sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg. Kjo është një luftë që askush nuk mund t’a fitojë: nga një anë është një fuqi bërthamore e nga tjetra fuqia ushtarake e Perëndimit. Nëse nuk ndalet përfundimi mund të jetë një katastrofë botërore. Politika do të duhej të gjente një rrugëdalje”.

A është e mendueshme një rrugëdalje, në bazë të së cilës Ukraina duhet të pranojë humbjen e një pjese të territorit të saj?

“Po Kosova a nuk ishte një pjesë e Serbisë? Ai që përcaktoi qe populli kosovar. Ndoshta edhe tashti, nën mbrojtjen ndërkombëtare, mund të jenë qytetarët e Donbasit ata që vendosin.”

“Corriere della Sera” , 16 shtator 2024 Përktheu Eugjen Merlika

Latest articles

Related articles