Rama tallet me Kuvendin, Kushtetutën, Qytetarët për paratë strategjike të Olta Xhaçkës

TIRANË- “Turp, turp, t’ju vijë turp!,”-kështu u mbyll votimi për mandatin e deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka. Me 65 vota abstenim, 25 pro dhe 9 kundër, Kuvendi i Shqipërisë vendosi që të mos e dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dosjen për shqyrtimin e mandatit të ish-ministres Xhaçka. Votat kundër nga PS u dhanë nga Bullari, Çela, Çyrbja, Gjiknuri, Sterkaj dhe Çuçi, ndërsa vetë Xhaçka nuk ishte fare në sallë në momentin e votimit.

Vendimi u mor pas kalimit në votim në seancë plenare të dy raporteve, një nga opozita dhe tjetri nga mazhoranca. Para votimit, në fjalën e tij, kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, shprehu pakënaqësinë e tij për mosleximin e raporteve në seancë, duke pretenduar se maxhoranca po mban dy qëndrimet të ndryshme, duke krahasuar rastin e kryedemokratit Sali Berisha me atë të Xhaçkës.

Bardhi: Sipas rregullores, pas përfundimit të shqyrtimit nga Këshilli i Legjislacionit, ose raporti i përbashkët, ose i veçuar i mazhorancës dhe opozitës i prezantohet seancës plenare. Nuk ka ndodhur kurrë që Këshilli Legjislacionit të mos prezantojë pasi i ka paraqitur raportin kryetares së Kuvendit. Keni burgosur kryetarin e opozitës me pretekstin se s’ka zbatuar një vendim të shkallës së parë dhe krekoseni këtu me dy raste për të mos zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Dilni për zot votës tuaj në shkelmin të kushtetutës së Shqipërisë.

Spiropali: Siç e theksova raportet janë në faqe dhe janë bërë pjesë e rendit të ditës që u janë shpërndarë deputetëve. Dy raportet s’kanë mendime të ndryshme, rekomandojnë kalimin e çështjes për votim.

Ndërsa ndryshe nga Bardhi, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi, zgjodhi që të mos e komentonte çështjen para se të kalonte për votim.

Kjo është hera e tretë në dy vite që mandati i Xhaçkës kalon në Kuvend. Mocioni ndaj ish-ministres u ndërmor nga opozita në qershor 2022 pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik dhe iu dha me vendim qeverie e drejta e përdorimit të brigjeve të detit para hotelit. Edhe pse prona në fjalë është tashmë subjekt i Prokurorisë së Posaçme, kjo nuk i bën socialistët që ta lënë në dorë të drejtësisë mandatin e Xhaçkës. Në korrik, herën e fundit që u votua për mandatin e saj, Xhaçka foli për sulm politik nga opozita dhe sulmoi mediat e gazetarët si; “inkuizitorë”, “gjobaxhinj” dhe “snajperistë”.

Çështja e mandatit të Xhaçkës ka krijuar një precedent në marrëdhëniet mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, duke shmangur praktikën e mëparshme parlamentare, kur Kuvendi ka vendosur që të dërgojë për interpretim në gjykatë mandatet e deputetëve në rastet kur ndaj tyre ka pasur akuza apo indicie se kanë shkelur nenin 70 të Kushtetutës, që i ndalon ata të përfitojnë nga të mirat publike.

Ishte Gjykata Kushtetuese që doli në përfundimin se mandati i Olta Xhaçkës duhet të shqyrtohet pa vonesa dhe se deputetët janë të detyruar të votojnë e ta dërgojnë atë sa më shpejtë. Në daljet publike, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ia bëri të qartë Kuvendit se nuk mund kurrsesi të vërë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj.

Latest articles

Related articles