Denoncimi i medias gjermane, ARD: Turizëm betoni

“Deri kohët e fundit, Shqipëria konsiderohej si një sugjerim interesant pushimesh me plazhe të paprekura, vetmi marramendëse në natyrën e egër dhe çmime të pakrahasueshme. Por ajo kohë ka mbaruar”. Është ARD, një nga televizionet më të mëdhenj në Gjermani që ka transmetuar një dokumentar kritik për mënyrën e turizmit që ka zgjedhur të bëjë Shqipëria.

Në dokumentarin me titull “Udhëtim kritik në Shqipëri, bukuri e egër dhe beton” tregohet edhe ana tjetër e medaljes së propagandës që flet vetëm për sukseset e Shqipërisë dhe qeverisë së Edi Ramës.

Në reportazhin 45-minutësh të Marko Rösseler jepet një panoramë e Shqipërisë nga veriu në jug ku natyrën unike të vendit po e vret betoni me etjen për të ndërtuar kudo.

Ndërtime në bregdetin e jugut
ARD thekson se numri i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë është trefishuar në dekadën e fundit duke kapur shifra në rreth 11 milionë vizitorë të huaj në vit. “Shumë për një vend që ka vetëm pak më shumë se dy milionë banorë. Por turizmi sjell rritje ekonomike dhe është shpresa e madhe e vendit ende të varfër. Tani kudo po ndërtohen kështjella të reja prej betoni” – thuhet në reportazhin e ARD.

“Në të gjithë bregun, shirita çeliku ngrihen në ajër dhe hotele e ndërtesa me apartamenteve po ndërtohen në çdo vend” – citon ARD që ka parë nga afër edhe projektin e ndërtimit të aeroportit të ri të Vlorës që gjithashtu nuk u ka shpëtuar polemikave për shkak të cenimit të zonës së mbrojtur të Nartës.

“Një aeroport i ri po ndërtohet në mënyrë që bregdeti të mund të arrihet lehtësisht. Pista është duke u betonuar pranë një delte lumi, ku flamingot më parë kishin sovranitet në ajër dhe zogjtë shtegtarë ndalonin” – citon media e njohur gjermane.

Latest articles

Related articles