Dorëheqja e kryetarit të Bordit të Radiotelevizionit Publik të Kosovës, Besnik Boletini është shoqërua me kritika dhe hije dyshime kundrejt drejtuesve aktualë të RTK-së.
Në shkrimin e tij, Boletini ka lënë të kuptohet se Adi Krasta, i cili aktualisht mban postin e ushtruesit të detyrës së kreut të përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës është bërë barrierë dhe nuk lejon të çojë përpara hartimin e një raportin hetimor për shkeljet e pretenduara profesionale nga televizioni publik, kundër disa mediave online të Kosovës.
Mosmarrja e masave nga Adi Krasta ndaj personave përgjegjës, që kanë lejuar transmetimin e një lajmi të rremë në RTK, është pritur me kritika të forta nga opinioni në Kosovë.
Ka qenë, analisti Fitim Salihu, i cili kritikuar ashpër U.D Drejtorin e RTK-së, Adi Krasta, pengesa e të cilit e bëri të pamundshme llogaridhënien për lajmin në RTK dhe shkarkimin e drejtorit të TV-së, Rilind Gërvallës pas publikimit të lajmi të rremë, që shigjetonte mediat Nacionalen dhe Periskopin.
Sipas tij, duke mos nxjerrë para përgjegjësisë autorët e lajmit të gënjeshtër, Adi Krasta dhe marionetat e tjera të Albin Kurtit, e kanë kthyer RTK si “RTS-in e Sllobes”
“Duke mos i nxjerrë para përgjegjësisë urdhëruesit e shëmtisë se transmetimit te lajmit te rrejshëm te “Sllobodna Bosnes”, Adi Krasta dhe marionetat e tjera te Albin Kurtit ne RTK, nga sot vendosen ta bejne RTK-ne si RTS-in e Sllobes. Radio-televizioni qe paguhet me parate e te gjithe qytetareve, nga sot do te jete nje altoparlant propagandistik i lajmeve te rrejshme te regjimit”, thekson Salihu.
Po ashtu edhe redaktori i një tjetër televizioni (KTV), Besnik Krasniqi shkroi në një reagim se Adi Krasta dikur ishte shembull, por sot i ka zhgënjyer të gjithë me aktet e tij.
“E kemi pas idol, na doli karikaturë”, shton ai.
Të tjerë gazetar, si Parim Olluri ka reaguar ashpër pas fotografisë së Dejona Mihalit dhe Adi Krastën në një karburant Sipas tij, Adi Krasta u shndërrua në servil i Dejona Mihallit të VV-së.
“Adi Krasta, “disidenti” i Edi Rames ne Shqiperi na u be servil i Dejona Mihalit ne Kosove. Te ishte bile servil i Kurtit direkt. Do te ishte pak ma dinjitoze”, ka shkruar Olluri në Facebook.
Kritika janë bërë edhe nga bota universitare. Profesori Milazim Krasniqi ka ironizuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke shkruar se në vend të Bashkimit Kombëtar që e kishin dikur kryefjalë tani e kanë lënë vendin “nënmbikëqyrjen e disa ikanakëve nga Shqipëria, si Dejona Mihalin dhe Adi Krastën.
Besnik Boletini
Sot gjatë mbledhjes së bordit, kam dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe anëtarit të Bordit të RTK-së. Përpjekjet për të adresuar skandalin e publikimit të një artikulli të paverifikuar, gjatë këtyre javëve ishin të përditshme dhe të vazhdueshme, përkundër vështirësive.
Gjetjet e raportit të komisionit ishin të qarta. Që nga data 9 gusht, zëvendësdrejtori Adi Krasta (që i ka përgjegjësitë e drejtorit) nuk po e adreson këtë raport. Të jesh në krye të transmetuesit publik edhe për një ditë është privilegj, por edhe përgjegjësi. E siç po shihet ai nuk ka vullnet për të marrë masa ndaj atyre që e shkaktuan skandalin.
Në këtë situatë bordi i kishte duart e lidhura. Për këtë arsye u bë e domosdoshme emërimi i një ushtruesi të detyrës së drejtorit dhe hapja e konkursit po ashtu sot. Gjetja e një personi që e merr udhëheqjen në këtë situatë delikate ishte e vështirë. Ai që është në detyrë nuk po e bënte, patatja e nxehtë e priste dike tjetër. Megjithatë një kandidat ishte i gatshëm ta merrte detyrën.
Qëndrimi ishte që ai ta adresojë me urgjencë raportin e komisionit dhe të marrë masat sipas ligjit dhe rregulloreve, të bëhet një komunikatë dhe të kërkohej falje ndaj dy mediave të apostrofuara dhe rasti të merrte epilog shumë shpejtë. Ishte një përpjekje e fundit e imja.
Por, kjo u bë e pamundur. Votuan kundër Radojica Mrdjinac dhe Fatime Lumi. I pari dje ishte pro që të votohet kandidati për u.d, e. Sot votoi kundër. E dyta kishte qëndrim paraprak kundër. Që nga publikimi i atij artikulli, plani i disa anëtarëve të bordit ishte i qartë, mos të ketë ndëshkim atë ditë. Data 23 korrik kur ftova mbledhje urgjente pas shkrimit joprofesional, na gjeti të ndarë në dysh, ne të fushës së mediave, unë, Arta, Safeti dhe Birolli, ishim të qartë se ai artikull kishte shkelur standardet profesionale, nuk kishte vend në RTK, duhej hequr nga ueb-sajti, duhej kërkuar falje dhe duhej suspenduar të gjithë personat e involvuar. Ne si bord kishim në përgjegjësi suspendimin e drejtorit të kanaleve në gjuhën shqipe, Rilind Gërvalla dhe të sqarohet mirë situata për vendim final.
Kjo gjë u bë e pamundur nga tre anëtarët tjerë, ishin kundër kësaj mase, (Albulena, Dardani dhe Radojica). Disa kishin tendenca për ta paraqitur shkrimin si korrekt dhe vetëm si një përkthim. Mendime këto që në fund maten me vota. Megjithatë u dakorduam për një komision profesional që ta zbardhë rastin. Gjatë asaj dite veçse kisha kërkuar ekspertizë të IT-së për rastin. Insistimi i stafit editorial se emrat e dy mediumeve nuk janë përmendur, ishte jobindës. Raporti erdhi. Stafi editorial na kishte gënjyer. Emrat ishin përdorur. Masat nuk po merren. Plani për të penguar masat kulmoi sot.
Edhe pas dallimeve të mëdha në mbledhjen e datës 23 korrik. RTK-ja ishte në “flakë” dhe vendosa të qëndroj, përkundër që iniciativa për suspendimet dështoi, por dorëheqja atë ditë ishte një ligësi dhe dorëzim para një presioni masiv të jashtëm, nga njerëz të shoqërisë civile e mediave të cilët i njoh mirë, e më njohin mirë. Isha i gatshëm t’i marrë gjithë ato kritika e ofendime edhe përkundër faktit që nuk kisha asnjë lloj përgjegjësie për publikimin (dhe me ngulm po kërkoja përgjegjësi), vetëm për ta adresuar këtë rast deri në fund. Isha i bindur për këtë. Qëndrimi im ishte që ky rast të mbyllet të merren masa rigoroze dhe pastaj të rishoh pozicionin tim. Por, zvarritja u bë e madhe dhe e qëllimshme. Unë nuk mund t’i mbyllë sytë para një lëshimi të madh profesional në asnjë mënyrë në asnjë rrethanë pa u ndëshkuar përgjegjësit. Tendenca për ta kaluar këtë rast vetëm me një kërkim falje është e pakapërdishme.
Prandaj, në rrethanat kur:
-Shkeljet janë evidente dhe të dëshmuara dhe bordi u gënjye nga stafi editorial;
-Zëvendësdrejtori që i ka përgjegjësitë e drejtorit nuk merr masa;
Bllokohet tentimi për të emëruar një u.d që merr masa – duart janë të lidhura dhe qëndrimi i mëtutjeshëm është i paefektshëm dhe i pakuptimtë.
RTK në këtë periudhë dy vjeçare ka pasur progres të mirë. Janë bërë punë të mëdha. Ishte sfiduese. Për mua ka qenë angazhim shtatë ditë në javë. Plani i reformës ka qenë i qartë dhe duhej edhe pak që RTK-ja ta bëjë hapin e madh. Shpresoj këtë ta bëjnë ata që mbetën e ata që vijnë.
Komenti i Berat Buzhala
Fakt eshte, une e kam mbeshtete Adi Krasten, madje jo vec per zevendesdrejtor, por edhe per drejtor te RTK’se.
Gjate kohes sa eshte ne RTK e kemi rujte nje komunikim civil dhe qytetar. Mirepo, une nuk kam thane asnjehere qe po du me u martu me Adin, e as me u shumu me Adin.
Absolutisht ka deshtu ne provim ne menyren qysh e ka trajtu rastin e Slobodna Bosnes. Nuk e kam ndermend as me e fy e as me e ofendu, e as me i thane qe ka ardhe nga Shqiperia ne Kosove me na shite mend.
Adi Krasta qartazi e ka nje afersi johigjenike me pushtetin ne Kosove.
Une jam teper i lumtur dhe teper krenar me shumicen derrmuese te kolegeve te Kosoves. Me doreheqjen, anetaret e Bordit sot e deshmuan nje pjekuri profesionale. Besniku me kolege te tjere. E lane pushtetin vec me veglat e tij.
Pra, le te mbetet RTK si medium i veglave, i zgjatjeve, i pakurrizoreve, i servilave.
Fatkeqesisht, per deshprimin tim te thelle, Adi Krasta tashme ia ka rezervu vetes nje vend ne kete galeri, ne kete llozhe.
Pas disa kohesh, edhe ai do ta sheh se cfare gabimi ka bo. E ka shnderru veten ne servil te qeverise dhe pushtetit.
Nuk e kam te qarte pse.