Në Shqipëri dhe vendet e Ballkanit qarkullon muajin e fundit virusi i Etheve të Nilit Perëndimor. (WEST NILE VIRUS).
Transmetohet nga pickimi i mushkonjave të zakonshme “të infektuara”.
I takon familjes së Arbovirus-eve me genom monoklonal të ARN-së.
U izolua për herë të parë në zonën e Nilit perëndimor në Uganda më 1937, nga ku morri dhe emrin.
Në 80% të rasteve, preka është pa simptoma, në 20% shkakton temperaturë, dhimbje koke, të vjella, dobësi muskulore, eksantemë në lëkurë (kryesisht shpatull dhe gjoks).
Në 1% të rasteve mund të manifestohet me prekje të sistemit nervor qendror si encefalit, meningit, shumë rrallë dhe vdekje (më pak se 1/1000 raste).
Mushkonjat e marrin virusin nga gjaku i zogjve të infektuar me këtë virus. Zogjtë janë edhe bartës të virusit.
Nuk ka vaksinë për njerëzit. Nuk ka as terapia specifike.
Mjekimi është simptomatik dhe përcaktohet nga klinika dhe graviteti i saj.
Testet laboratorike që kryhen në këtë rast janë antikorpet IgM dhe IgG.
Antikorpet IgM shfaqen 8 ditët e para pas prekjes nga virusi. Bëhen në gjak dhe në likidin cerebrospinal (për të sëmurët që kanë prekje të sistemit nervor qendror).
Analiza e antikorpeve IgM është analiza e parë që kryhet te pacientët që kanë shfaqur simptoma. Vlen të theksohet se nëse pacienti nuk ka simptoma, nuk rekomandohet kryerja e këtyre testeve.
Prezenca pozitive e IgM (IgM pozitiv) tregon se pacienti është i prekur nga virusi. Nëse prezenca e antikorpeve IgM del negative, kjo analizë përsëritet pas disa ditëve.
Gjithashtu bëhet edhe IgG, njëkohësisht me IgM. Kur të dyja janë pozitive, tregon prekje të tanishme të organizmit nga ky virus.
Prezenca vetëm e IgG (IgG pozitiv) tregon një prekje më të hershme nga virusi, muaj ose vite më parë.
Megjithatë, mund të ndodhë që pas javës së tretë nga shfaqja e simptomave, IgG të jetë pozitive dhe IgM të jetë negative.
Këtu e merr fjalën interpretimi laboratorik, sipas kritereve shkencore.
Për të vlerësuar ecurinë klinike të sëmundjes, përsëritet testi i IgM dhe IgG pas 3-4 javëve, për të parë nëse niveli i titrit të antikorpeve është rritur ose pakësuar.
Një rrugë tjetër transmetimi i virusit është edhe me gjak, pra nëse transfuzohet gjak nga një pacient i prekur me virusin e Nilit te një pacient tjetër.
Nëse sëmundja shfaqet te një fëmijë, që ushqehet vetëm me qumështin e nënës, atëherë duhet ekzaminuar nëna për të saktësuar rrugën e transmetimit nëpërmjet qumështit të nënës.
Kjo ndodh rrallë. Megjithatë, kjo rrugë transmetimi është e konfirmuar shkencërisht.
Për përcaktimin e prekjes së organizmit nga virusi ekziston edhe metoda e PCR-së, përcaktimi me biologji molekulare i acidit nukleik të virusit. Me këtë metodë detektohet virusi që përpara shfaqjes së antikorpeve.
Meqenëse periudha më e zakonshme e shfaqjes së kësaj patologjie lidhet me periudhën e shumëzimit dhe shfaqjes së mushkonjave, rekomandohet marrja e masave për luftën kundër tyre.
Vlen të theksohet se kjo sëmundje transmetohet nga mushkonjat e zakonshme, dhe jo nga ndonjë mushkonjë “speciale”.
Pregatitur:
Dr. VASIL LLAJO