nga Adriatik Lapaj
Ky ishte rasti tipik kur partia që aktualisht përfaqëson opozitën në Kuvendin e Shqipërisë mund të merrte çfarë të donte nga reforma.
Do thoni ju…po si? Si do i merrte se Rama ka mazhorancën. Për reformën zgjedhore duhen 84 vota.
Po shpjegoj:
Theksoj se çdo palë zgjedhje pa përmbushur detyrimet e Gjykatës Kushtetuese për votën e emigrantëve dhe listat zgjedhore do të ishin antikushtetuese.
Mazhoranca edhe pse në pamje të parë luante rolin e të fortit, në fakt ishte e dënuar të gjente zgjidhje pasi çdo palë zgjedhje që do të shpalleshin antikushtetuese e vendosnin atë nën presion total për gjetje të zgjidhjes.
Organizimi i zgjedhjeve në aspektin politik është detyrë dhe peshë e mazhorancës qeverisëse. KQZ i organizon ato veçse në aspektin teknik. Dështimi në to do e ekspozonte mazhorancën përballë një cikli politik paqëndrueshmërie institucionale që do t’i deligjimonte ruajtjen e status-quose edhe në raport me ndërkombëtarët.
Mazhorancës do i duhej të lëshonte në funksion të zgjidhjes pasi nuk do të mund të qeveriste më pa një Parlament të ligjshëm. Mungesa e një Parlamenti legjitim në aspektin kushtetues do ta mundësonte në vazhdim një cikël zgjedhjesh të parakohshme dhe qeveri teknike duke e shpënë vendin në zgjedhje pa Edi Ramën Kryeministër. Partia Socialiste herët ose vonë do të duhej të pranonte edhe koalicionet zgjedhore, edhe listat e hapura edhe çdo gjë që i hiqte asaj avantazhet në formulën zgjedhore.
Nga sa dhe si u veprua, duket qartë se qëllimi i deputetëve të Partisë Demokratike nuk ishte demokratizimi i vendit, as shkuarja në zgjedhje pa Edi Ramën Kryeministër, as heqja nga duart e mazhorancës të avantazheve të sistemit zgjedhor. Qëllimi i tyre ishte si të garantonin një çetë njerëzish rreth Sali Berishës që synim të vetëm ka si e si të mbajë opozitën si mburojë politike e biznes personal.
Ndaj vota ka rëndësi. E djathta shqiptare u tradhëtua sërish. Partia që u krijua për hapjen e vendit, demokratizimin dhe garën përfundoi në një bunker që i dha sërish Edi Ramës në tavolinë një formulë që vret garën dhe synon mbajtjen peng të vendit. Përdoreni votën për të sjellë ndryshimin. E vetmja rrugë tashmë është të shpartallojmë sistemin me votë masive.
Ata janë bashkë!