Zaptimi i opozitës për luftë personale – ANALIZA e Sebastian Zonja

Kodi i ri zgjedhor që ra dakord Sali Berisha ka këtë refren – “ti voto kë të duash, në Parlament do shkojë ai që dua unë”.
Ishte më serioz propozimi i Partisë Socialiste për listat dhe herësin.
Ç’frikë, vallë, ka Saliu që s’ preferon as demokratizimin e Partisë, as garën zgjedhore?
Kjo marrëveshje i jep në tavolinë mandatin e katërt Edi Ramës. Sali Berisha fiton Gardën Pretoriane për vete që të mbrohet nga prokuroria. Të gjitha opozitat nëpër botë akuzojnë qeverinë për korrupsion, kjo e jona akuzon Prokurorinë pse nuk heton ata që do Saliu.
Me pak fjalë, gjithë ajo zhurmë për blerje e shitje votash, krime zgjedhore dhe dosjet 339 dhe 184 u shua me marrëveshje për votim me postë për diasporën (shih akuzat e Republikanëve në SHBA për votën me postë) dhe marrëveshjen për të çuar në Parlament të devotshmit e kryetarit.
Aktualisht, nëse nuk ndodh ndonjë çudi, Edi Rama ka marrë mandatin e katërt në tavolinë.
Në çdo vend të botës, çelësi i pushtetit politik është Kodi Zgjedhor. Greqia fqinje e ka interesante këtë pikë. Aq i rëndësishëm është Kodi, sa Partia që e ndryshon, s’ka të drejtë ta përdorë në zgjedhjet e radhës.

Fatkeqësisht, Sali Berisha preferoi të marrë në gropë me vete edhe Partinë Demokratike. Pas humbjes së zgjedhjeve të ardhshme, Partia Demokratike shuhet totalisht. Kthehet në refraktare totale, siç është tani, ndaj çdo forme tjetër opozitarizmi në vend. Zaptimi i opozitës për luftë personale. Të vjen keq të shohësh si shuhet përpara syve një subjekt i rëndësishëm politik për egon dhe hallet e një personi. Gjithashtu, është interesante të studiosh si do ja dalin subjektet e reja politike të faktorizohen ndërsa Berisha i jep goditjen përfundimtare Partisë Demokratike.

Latest articles

Related articles