Kreu i PLL Shpëtim Axhami bën analizën e ndryshimeve në Kodin zgjedhor

Varianti i dakortësuar nga PS dhe PD në lidhje me hapjen e listave, vetëm i mbyll dhe ngurtëson ato më tepër se deri më sot, duke i kthyer në 1/3 të mbyllura hermetikisht, dmth kushdo qoftë i radhitur tek kjo 1/3 merr mandat pa votë proferenciale!

Duke pasur parasysh numrin e mandateve të marrë nga opozita për çdo qark deri më sot kjo formulë favorizon dukshëm PS në garën për marrje mandatesh.

Ja konkretisht çfarë parashikohet projekt drafti i dakortësuar për hapjen e listave.

“Neni 67
Lista e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive politike

  1. Partia politike ose koalicioni zgjedhor, në kuptim të nenit 65, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve:
    a) listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve; dhe
    b) listën shumëemërore të kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.
  2. Emrat në listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Për koalicionet përbri emrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati. Numri i përgjithshëm i kandidatëve në listën e fiksuar është i barabartë me numrin e mandateve për cdo zonë zgjedhore pjestuar për tre. Në rast se nga ky pjestim nuk rezulton numër i plotë mandatesh atëherë në rast se presja dhjetore si pasojë e pjestimit është e barabartë ose më e madhe se 0,5 lista përmbyllet me numrin e plotë pasrendës, ndërsa kur si pasojë e pjestimit rezulton presja dhjetore më e vogël se 0,5 lista shumëemërore e fiksuar e kandidatëve mbyllet me numrin e plotë pararendës.
  3. Lista shumëemërore e kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit është e barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Renditja e kandidatëve bëhet sipas rendit alfabetik të mbiemrit për secilin prej tyre.
  4. Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore, nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish.
  5. Kandidati për deputet, i rregjistruar në listën e fiksuar të partisë politike apo koalicionit nuk mund të jetë njëkohësisht edhe në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.
  6. Për çdo zonë zgjedhore në zgjedhjet për Kuvendin një çdo tre emra të kandidatëve të listës së fiksuar i përket gjinisë më pak të përfaqësuar dhe një në çdo tre emra të listës shumëemërore që i nënshtrohet votimit parapëlqyes duhet t’i përkasë gjinisë më pak të përfaqësuar.

Latest articles

Related articles