“Shabantapizimi” i Edi Ramës

NGA NAMIR LAPARDHAJA

Praktikisht Edi Rama ka nisur fushatën elektorale dhe e ka filluar pikërisht aty ku e ka lënë katër vite më parë: shpërndarja e tapive të shtëpive.

E ka nisur kësaj radhe nga Himara, por është në vazhdën e fushatave të fundit, që sa herë vijnë zgjedhje, ai rifillon të shpërndajë certefikata pronësie. E ka bërë përherë këtë, sipas modelit të “one man show”.

Ai në qendër, qytetarët që marrin certefikatën e pronësisë dhe që mbulojnë me lavde udhëheqësin suprem.

Shefi i qeverisë më të korruptuar në Evropë qëndron i heshtur. Herë i puth në kokë, herë lëshon ndonjë batutë, por është një histori që në 11 vitet e fundit është ripërsëritur sa herë ka zgjedhje.

Në një vend si Shqipëria ku edhe pas 34 vite njerëzit vijojnë të manipulohen dhe të gënjehen me propagandë sorogate të kësaj natyre, sigurisht që dështimi i politikës me çështjen e pronës, është arsyeja kryesore.

E djathta kur ishte në pushtet nëpërmjet politikave të saj, bëri me tokë çdo të patokë, ndërsa Rama mjeshtërisht ka ditur edhe duke mos u dhënë zgjidhje për vite me radhë, t’i përdorë vetëm në periudha fushatash, për t’u mbyllur sapo fushata të përfundojë dhe të rifillojë kalvari i zvarritjes për vite me radhë, ndërsa në pragun e fushatës së ardhme të nisë show-i nga e para.

Pra, cirk, propagandë e mashtrime dhe karvani i korrupsionit që marshon pa kurrfarë përgjegjësie.

Me të njëjtën qesëndi Rama leqëndiste Shaban Meminë dikur dhe pushtetin e PD-së, duke premtuar se ai dhe qeveria e tij s’do të bënte asnjëherë politikë me çështjen e certefikatave të pronësisë.

Për të mos përmendur premtimet që do ta zgjidhte këtë problematikë në mandatin e parë, do të lehtësonte procedurat dhe do t’i bënte të gjitha falas. Jo vetëm që nuk bëri asnjë prej tyre, por sa herë që ka zgjedhje na shfaqet në ekran Edi Rama i “shabantapizuar” me tapi dhe gajde në duar.

Vetëm se me dallimin që Memia i dikurshëm e kishte detyrë funksionale dhe shtetërore një gjë të tillë, ndërsa Rama ka lënë punët e shtetit për të shpërndarë tapitë dhe përdorë tapitë për të mbuluar korrupsionin e qeverisë së tij me shosh.

Latest articles

Related articles