“Figura të politikës, medias dhe ekonomisë shantazhohen me dosje” Basha: Hapja e dosjeve i çliron dhe ata

Gjëja e parë që duhet të ndodh është që personat që marrin përgjegjësi politike, nuk duhet të jenë të shantazhueshëm, pra të mos kenë dosje bashkëpunimi me sigurimin e shtetit apo një akt më i rëndë me diktaturën e atëhershme. Propozimi që qëndron prej kohësh në parlament është që çdo person që merr përgjegjësi politike, deputet, ministër, kryetar bashkie, anëtar i këshillave bashkiak, duhet të firmos një formular që nuk ka qenë apo që ka qenë bashkëpunëtor, e tjerë e tjerë. E dyta pastaj, personat që kanë pasur një rol bashkëpunimi me sigurimin e shtetit, nuk mund të jenë përfaqësues të popullit.

Është 2024, 34 vite që nga rënia e kominizmit. Është 49 vite që kur Agroni është dënuar. Është një brez i tërë i cili ka bashkëjetuar në këtë dramë dhe pjesë e kësaj shoqërie, janë ata që kanë shkaktuar këtë dramë. Nuk mundet më, edhe për hir të kujtesës të atyre që nuk jetojnë, për hir të nderimit dhe respektit të këtyre që kemi mes nesh, por dhe për hir të brezave të ardhshëm të vazhdojmë të jetojmë me këtë skizofreni brenda shoqërisë tonë ku kemi një numër jo të vogël personash publik që për tjetër gjë e mbajnë veten, e tjetër gjë ndihen se janë. Kjo duhet të marrë fund.

Duhet të marrë fund dhe një aspekt tjetër, që është agjenturat e shërbimeve armiqësore me Shqipërinë. Atëherë në një aspekt të caktuar dhe në një kohë të caktuar, se në disa raste kanë qenë dhe aleatë për një kohë të shkurtër dhe në veçanti sot. Autoritet përkatëse duhet të marrin masa të ekspozojnë agjenturën sovjetike dhe agjenturën e UDB-së në Shqipëri, për të hequr çdo mundësi që këta njerëz të riaktivizohen qoftë përmes vullnetit të tyre apo përmes shantazhit, që në qoftë se ju do aktivizoheni në agjenturat e reja të BIA apo FSB-së dhe GRU-ja, atëherë do keni pasoja. Është fare e thjsht, në qoftë se ka njerëz të gjallë në Shqipëri sot që atëherë kanë qenë agjenturë e UDB-së dhe e KGB-së, është në interesin e sigurisë tonë kombëtare që këto të ekspozohen. Nuk bëhet fjalë për dënim penal, thjesht të ekspozohen që të dihen këta njerëz kanë qenë pjesë të agjenturave, pikërisht që të shmangim çdo mundësi që sot keqpërdoren sërish nga shërbime sekrete armiqësore ndaj Shqipërisë dhe ndaj NATO-s.

Latest articles

Related articles