Agron Hoxha tregoj arsyet e arrestimit, vuajtjet në burg, si vriteshin dhe as trupat si ktheheshin familjes dhe si nisi revolta e Spaçit

Në prag të përkujtimit të Revoltës së Spaçit, kryetari i PD Lulzim Basha ishte në Spaç së bashku me Agron Hoxhën, i cili vuajti 13 vite në këtë burg. Në bisedën me Bashën, Marsidin dhe Ermalin, Hoxha ka rrëfyer arsyen e arrestimit e cila ishte vetëm pas një bisede me 4 shokët e tij për jetën e vështirë që bënin në atë kohë.
Ai gjithashtu tregoi vuajtjet që kaloi në burg, ku pasi nuk përmbushte normën në minierë detyrohej të rrinte në birucë për 30 ditë në temperatura që shkonin deri në -15 gradë celsius. Në dëshminë e tij, Hoxha më tej tregoi masakrat e tjera që bëheshin ndaj të burgosurve të cilët vriteshin nga policët dhe trupat e tyre nuk u ktheheshin familjarëve.
Në kujtimet e tij, ai rrëfeu edhe revoltën e Spaçit se si nisi nga të burgosurit.

Më poshtë pjesë nga rrëfimi i Agron Hoxhës:

Këtu kam ardhur në gusht të vitit 1975, isha vetëm 20 vjeç. Isha dënuar për agjitacion propagandë dhe bisedë arratisje. Po bisedoja me 4 shokë dhe agjitacioni që ishte brenda bisedës. Nuk na pëlqente jeta që bënim. Ishte një jetë që nuk kishte privatësi. Doje të dëgjoje një këngë të huaj, nuk të linin, doje të lije pak flokë se ishim të rinj, apo të vishje pantallonat që doje, nuk të linin. Imagjino që të kesh një dënim për këto gjëra që të them unë. U dënuam të katër shokët, 2 me burgim me 25 vite dhe 2 me pushkatim, njëri 19 vjeç dhe tjetri 34 vjeç. Unë asnjëherë nuk e përqafova nënën dhe babain tim. Biles dhe mbesa ishte 7, 8 vjeçe kur erdhi në takim, donte të më puthte kur të ikte dhe polici nuk e la.
Të them të drejtën kur erdha në Spaç, kur pash natyrë kështu u ndjeva i lirë. Sepse çfarë kisha hequr 7 muaj në birucat e Fierit, lagështirë, tmerr, dhunë, çfarë të them unë. Një njeri në moshën time në atë kohë ishte e pamundur t’i rezistoje dot atyre veprimeve që kryenin ata ndaj të burgosurve. Këtu ka qenë biruca e kampit. Këtu vije nëse nuk përmbushje normën të punës që të kishin ngarkuar. E dyta, në kamp kishte një rregullore të brendshme këta, që nuk të lejonin të mësoje gjuhë të huaja. Në qoftë se do të gjenin një libër të huaj, vije te biruca 30 ditë. 30 ditë në birucë në -15 gradë celsius i zhveshur.
Kur erdha këtu më caktuan minator, isha 20 vjeç. Minatori është profesioni më i rëndë i minierës, ku kisha në ngarkim dhe dy punëtorë. Dhe unë kam bërë biruca disa herë sepse nuk përmbushja dot normën sepse ai që kisha unë në turn, përshembull punëtori ishte shumë sëmurë, apo ishte shumë plak, skishte fuqi dhe e paguaja unë. Më thoshin mua ata kush nuk punoi nga këta, unë asnjëherë nuk u kam thënë që nuk punoi ky, as ai. Unë punoja në lopat me ata, bënim çështë e mundur që ta zinim ciklin. Edhe ata punonin me gjithë mundësitë e tyre, por aq takat kishin, 2 pleq që mund të ishin dhe të pafuqishëm, edhe të sëmurë dhe ndaj unë birucën e kam bërë shumë herë dhe unë e di çfarë kam hequr këtu. Pjesa më e keqe e burgut tim biruca ishte. Unë shumë herë kur isha vetëm në birucë, veja kurrizin se ishte dërrasë dhe gjithëandej ishte beton, ftoht kiamet. Ta rezatonte të ftohtin edhe tavani, ishte gjë e tmerrshme. Kam mbajtur një plak njëherë këtu me frymë nga shpatullat. i fryja në shpatulla, iu bënë ujë shpatullat sa nuk duroi dot, erdhi roja në mëngjes dhe i tha rojës o më vrisni ose më hiqni që këtu se nuk duroj dot. Më bëni çfarë të doni vetëm më hiqni.
Puna në galeri ishte shumë e rëndë, ka pasur shumë viktima. Ata që vdisnin i merrnin dhe i çonin atje poshtë. Familjarëve u thoshin që vdiq, por trupat asnjëherë nuk u kthyen. Thoshin që duhet të mbarojë dënimin, edhe pse kishte vdekur. Pavarësisht nuk ua jepnin asnjëherë trupin.
Unë kisha shokë që kishin qenë në revoltën e Spaçit. E gjitha ka ndodhur për një shall. Jo hiqe shallin, ishte ftohtë do vinte tjetri kapelen shallin, se ishte tmerr, jo hiq shallin dhe e morën e futën në biruc. Bëheshin ditët nuk po e nxirrnin. Ai oficeri harroi derën hapur, ky iku, Pal Zefi e kishte emrin. Polici erdhi për ta marrë dhe e gjeti te cepi. U shtynë aty me policin, i gjuajti polici, gjaujtën ata policin. Kampi u fut, goditën polecët, ikën me vrap policët, kapelet nëpër mure ikën dolën jashtë. E raportuan si problematikë dhe filluan pastaj ta rrethonin. Policia u kërkoi të dorrëzohen, këta nuk u dorrëzuan dhe u bë shtetrrethimi. Aty filloi revolta e vërtetë, njerëzit nuk bindeshin më, policët nuk futeshin më dhe filluan me kërkesat.

Latest articles

Related articles