Harta e një milimetri kub të trurit të njeriut, një kompleksitet i paparë

Studiuesit e Google dhe neuroshkencëtarët e Universitetit të Harvardit kanë kombinuar imazhin e trurit me inteligjencën artificiale, duke rindërtuar qelizat dhe lidhjet në inde të madhësisë së gjysmë kokrre orizi, sipas “Corriere della Sera”.

Mund të duket si një livadh me lule, një peizazh ëndërrimtar. Por edhe një vepër arti jashtëzakonisht komplekse. Dhe në fund të fundit, imazhi i mësipërm është me të vërtetë një vepër e pabesueshme arti: është një milimetër kub truri njerëzor i zmadhuar përtej besimit.

Gjysmë kokërr orizi
Puna është bërë nga një ekip i përbashkët i studiuesve të Google dhe neuroshkencëtarëve të Universitetit të Harvardit, të cilët kombinuan imazhin e trurit me përpunimin dhe analizën e imazhit të bazuar në inteligjencën artificiale, duke rindertuar qelizat dhe lidhjet brenda një vëllimi të indeve të trurit sa gjysma e një kokrre orizi.

Është një pamje e paprecedentë e trurit të njeriut, e cila mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë çrregullimet neurologjike dhe t’u përgjigjemi pyetjeve themelore se si funksionon “materia jonë gri”.

Gjashtë imazhet e marra nga studiuesit, të publikuara në “Science and Nature”, janë vënë në dispozicion të komunitetit shkencor.

Mbi 50 mijë qeliza
Harta 3D mbulon një të miliontën e një truri dhe përmban rreth 50 000 qeliza dhe 150 milionë sinapse, lidhjet midis neuroneve.

Fragmenti është marrë nga një grua 45-vjeçare gjatë operacionit për trajtimin e epilepsisë.

Ai vjen nga korteksi, një zonë e përfshirë në të mësuarit, zgjidhjen e problemeve dhe përpunimin e sinjaleve shqisore.

Mostra u lag me konservues dhe u ngjyros me metale të rënda, për t’i bërë qelizat më të dukshme.

Inteligjence artificiale
Jeff Lichtman, një neuroshkencëtar në Universitetin e Harvardit dhe kolegët e tij e prenë kampionin në afërsisht 5000 feta – secila prej 34 nanometra të trashë – të cilat më pas u fotografuan me mikroskop elektronik.

Ekipi i Viren Jain, një neuroshkencëtar në Google në Mountain View, Kaliforni, ka zhvilluar për këtë arsye modele të inteligjencës artificiale të afta për të “korrigjuar” imazhet nën mikroskop për të rindërtuar të gjithë kampionin në 3D.

Kompleksitet ekstrem
Duke ekzaminuar modelin në detaje, studiuesit zbuluan disa neurone të “nyjëzuara” në vetvete dhe të tjera të afta për të krijuar deri në 50 lidhje mes tyre.

“Në përgjithësi, ka më së shumti disa lidhje midis dy neuroneve”, shpjegoi Jain.

Ekipi gjithashtu identifikoi çifte neuronesh që formuan imazhe pasqyre.

“Ne gjetëm dy grupe që dërguan dendritet e tyre (neuronet e degëzuara, red.) në drejtime të ndryshme dhe ndonjëherë kishte një lloj simetrie”, shtoi shkencëtari.

Harta e trurit
Harta është shumë komplekse dhe në pjesën më të madhe duhet ende të ekzaminohet. Ajo mund të përmbajë gabime të krijuara nga procesi i “korrigjimit” së imazheve individuale.

“Shumë pjesë janë “korrigjuar”, por padyshim është disa pikë përqindjeje në krahasim me 50 mijë qelizat e pranishme”, tha Jain.

Ekipi planifikon të prodhojë harta të ngjashme në mostrat e trurit të njerëzve të tjerë, por nuk ka gjasa që një hartë e të gjithë trurit të njeriut të arrihet në dekadat e ardhshme.

Latest articles

Related articles