Mos prisni që atë që nuk e bën shoqëria, ta bëjë RAI

nga Anta Muçaku

Mos prisni që atë që nuk e bën shoqëria, nuk e bën opozita, nuk e bën elita, nuk e bëjnë mediat e vendit, ta bëjë Rai 3. Jemi një shoqëri së cilës i ka ngordhur nervi, i ka humbur besimi, entuziazmi dhe shpresa se diçka mund të ndryshojë.
Rinia, ajo rebelja, e betejave, e ndryshimeve, e ëndrrave të mëdha ka krisur ka ikur nëpër Europë dhe nuk ka diplomë që mund t’i mbajë peng.
Këtu kanë mbetur pensionistët e shkretë të cilët gëzojnë pas çdo gjel deti dhe rritje pensioni prej 5 mijë lekësh njëherë në 4 vjet.
Ndaj dhe Rama, Berisha, e Meta por edhe partitë e reja, në mesazhet e tyre i drejtohen pensionistëve duke i vendosur në qendër të fushatës.

Shqipëria aktualisht ka rreth 2.8 milionë banorë, nga të cilët 580 mijë janë fëmijë (jo votues)
Ndërkaq, reth 50% e 180 mijë të larguarve gjatë viteve të fundit, sipas të dhënave INSTAT, janë të rinj të moshës 15- 29 vjeç.
700 mijë i kemi pensionistë. Nga ata që kanë mbetur, rreth 190 mijë vetë punojnë në administratë, më shumë dhe se në Francë e Gjermani. Pjesa tjetër janë familjarët e këtyre 190 mijëve që i marrim me zor nëpër mitingje dhe i shantazhojnë me vendin e punës.
Ajo biçim “elite” e shoqërisë që duhet të bëjë diferencën, i ka vendosur vetes një çmim të lartë dhe shitet e blihet sipas rastit.
Ka dhe një biçim “elite politike” që gjithashtu shef ku të kapë ndonjë tender… e ja kështu!
Bëjini vetë llogaritë!

Latest articles

Related articles