Angjelin Prelocaj, Mira Murati dhe Lea Ypi anëtare të Akademisë së Shkencave, Artan Fuga: Shkelje ligjore!

spot_img
Advertisements

Akademiku Artan Fuga deklaron se zgjedhjet për akademikët e rinj u bënë në shkelje flagrante të ligjit dhe të Statutit të Akademisë së Shkencave në Republikën e Shqipërisë.

Në një letër publike profesor Artan Fuga i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë, duke vënë në pah shkeljet që sipas tij janë bërë.


Sipas Fugës shtimi i asamblesë me anëtarë të rinj është bërë në shkelje të ligjit dhe duke “krijuar pabarazi, privilegje, trajtime të diferencuara për trupën profesionale të mbarë vendit”

“Fatkeqësia është se këtë proces të paligjshëm e drejton vetë kryesia, dhe konkretisht kryetari i saj z. Skënder Gjinushi, si edhe nënkryetari zz. Vasil Tole dhe Sekretari i përgjithshëm Shaban Sinani. Sikurse u shpreh kryetari i Akademisë së Shkencave, pranimet e reja bëhen kur ligji, që vetë ai ka konceptuar, lejoka hapësira boshe, të papërcaktuara, dhe ato mund të mbushen nga votime në asamble!!!

Mbi këtë bazë komisioni teknik i vetë-ngritur për të shqyrtuar dosjet e kandidatëve ka anashkaluar rëndë dhe me qëllim detyrën e tij dhe ka fshehur mangësi që kanë natyrë serioze dhe thelbësore për atë procedurë. Nuk ka vendim të asamblesë për hapjen e vendeve për akademikë, nuk është konsultuar seksioni sipas Statutit dhe ligjit në fuqi për hapjen e këtyre vendeve, nuk janë njoftuar IAL, në dosjet e kandidatëve mungojnë mbështetjet nga ana e dy akademikëve, nuk ka ekspertizë për arritjet e kandidatëve nga njësitë bazë ku janë atashuar kandidatët as edhe mbështetje nga ana e senateve të IAL”, deklaron Fuga.

Po ashtu ai shton se kandidimi nuk është bërë ndividual, por kolektiv nga ana e disa kandidatëve së bashku. Fuga u ka bërë thirrje kandidatëve të mos pranojnë një karrierë akademike të njollosur me shkelje ligjore dhe statutore.

“Unë, si anëtar i akademisë së shkencave distancohem nga këto praktika antiligjore të iniciuara nga ana e kryesisë së akademisë së shkencave dhe riafirmoj përpara publikut dhe komunitetit të studiuesve dhe kërkuesve shkencorë, universitarëve të vendit, se as jam pajtuar dhe as pajtohem kurrsesi me to, qoftë edhe sikur të jem i vetëm. Përvoja më ka mësuar se edhe një e votë e vetme mund të jetë bartëse e së vërtetës”, e përfundon letrën Artan Fuga.

Latest articles

Related articles