Vjedhja nëpër autbousët e transportit publik është një problematikë thuajse e përditshme, teksa shumë njerëz janë përballur me diçka të tillë.
Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa ka shpjeguar se si njerëzit mund të tregojnë kujdes në autobusët e linjave, teksa ishte i ftuar në emisionin “7pa5” me moderatorët Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova.
Ai tha se “xhepistët” zgjedhin kategori të caktuara njerëzish dhe këshilloi që qytetarët mos të ekspozojnë portofolin.
“Tirana ka filluar të jetë një problem shqetësues. Së fundmi ishte ajo ngjarja për një person që vodhi dhe doli nga dritarja e sigurisë.
Kush mendon se do t’i dallojë nga fytyra apo veshja gabon. Ka disa rregulla që duhet të keni parasysh që most ë bini viktimë e këtyre vjedhjeve. Zakonisht këta persona rrinë afër daljeve të autobusit. Nuk veprojnë kurrë vetëm dhe e zgjedhin viktimën e tyre. Zgjedhin persona të një moshe të caktuar, ku ka prindër me fëmijë të vegjël që janë të shkujdesur për shkak të fëmijëve dhe persona që i shikojnë si të çoroditur. Kurrë mos e përdor portofolin në mjetet publike, bëji gati ato para që ke për të dhënë. Kurrë mos e ekspozo protofolin. Kartat të mos jenë në të njëjtin vend me monedhat e përditshme. Çantat e shpinës i mbani para dhe mundësisht të jesh me kurriz nga dritarja.
Mos përdorni xhepat e pasëm dhe anësor për kuletën dhe porotofolin. Duhen përdorur xhepat e brendshëm dhe të jenë me zinxhir. Mund t’i dallojmë sepse mbajnë ndonjëherë revista dhe gazeta që të fshehin atë që kanë marrë.
Janë gjithmonë mbas kurrizit të njerëzve. Gjithmonë janë më shumë se një”, tha ai.