SPAK ka sekuestruar pronat dhe llogaritë bankare të 5 anëtarëve të bandës së drogës të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës.
Bëhet fjalë për Zamir Hoxhën, Vladimir Hoxhën, Dilaver (Oliver) Hoxhën, Mentor Hoxhën dhe Alfonc Hoxhën.
Në zbatim të urdhërave të ekzekutimit të datave 19.02.2024 dhe 28.02.2024, të prokurorit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nga oficerët e shërbimit të Policisë Gjyqësore në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me përfaqësuesit e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Tiranë, janë sekuestruar pasuritë e mëposhtme:
- Pasuria e paluajtshme e llojit “njësi”, me sipërfaqe totale ndërtimi 325.8 m² (sipërfaqe social ekonomike 290.5 m² dhe sipërfaqe takuese 35.3 m²), me adresë Mëzez, Njësia Administrative Kashar, Tiranë, në pronësi të shtetasit Dilaver Hoxha, e legalizuar me leje legalizimi nr.137 507, datë 15.11.2018;
- Pasuria e paluajtshme e llojit “arë”, me sipërfaqe 9.936 m², me adresë Fushë Mamurras, Kurbin, në pronësi të shtetasit K.H.;
- Pasuria e paluajtshme e llojit “arë”, me sipërfaqe 22.500 m², me adresë Fushë Mamurras, Kurbin, në pronësi të shtetasit G.B.