Gazetari Lavdrim Lita analizoi edhe komisionet hetimore që fitoi Rithemelimi nuk do të arrijnë asnjë rezultat që do t’i shërbejë qytetarëve.
“Rithemelimi mori komisionet, pas 5 muajsh thirrje për revolucion dhe qeveri teknike, u reduktua në një pazar të dobët, për 1 komision e gjysmë. Kjo pasi, komisioni për TIMS, ku deputetët e opozitës nuk ia kanë haberin si funksionon, mendoni se çfarë ekspertize do të bëhet. Është një komision sa për sy e faqe, nuk do të nxjerrin asgjë. Gjysmë komisioni lidhet me koncesionet në shëndetësi, por kemi lënë jashtë edhe kontrata të tjera, siç është ai i dializës apo e laboratorëve. Sepse kështu kanë menduar Berisha dhe Rama, sepse kanë bërë pazare. Një mini teatër që nuk do të prodhojë efekt në politikë, përveç vëmendjes televizive dhe qytetarët do të dalin të humbur nga këto komisione, asgjë nuk bëhet për interesat e tyre. Ky pazar i dobët mes Berishës dhe Ramës ishte një mënyrë për të dalë nga qorr sokaku ku e kishin futur veten. Sepse revolucioni nuk u krye, qeveria teknike nuk u realizua, madje as PS nuk negocioi fare nën presion, nga 8 komisione dha 2. Do të kishte impakt nëse komisioni do të bëhej për afera madhore, si porti i Durrësit etj, komisionet që u morën nga Rithemelimi, po hetohen nga SPAK”, tha gazetari./M.K-dritare.net