Nëse, në përgjithësi, deputetët e Parlamentit të Shqipërisë, duan të duken serioz, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për deputetin lushnjar, Saimir Korreshi, i cili nuk lë çast dhe moment për të dëshmuar të kundërtën.
E bën këtë në çdo dalje publike, saqë të duket sikur ka ngatërruar profesion ose është në garë me ndonjë nga personazhet e “Portokallisë”.
Ndonëse të merresh me politikë është gjë serioze, ashtu sikurse është po aq serioze të artikulosh ide dhe qëndrime politike, fatkeqësisht një pjesë e deputetëve të Kuvendin kanë kuptuar të kundërtën dhe nuk lënë moment pa e “argëtuar” popullin me “shfaqjet” e tyre.
Dhe kur flitet për “shfaqje”, sigurisht që Korreshi është “nona”.
Herë duke bërë të fortin, herë duke u hakërryer, e herë të tjera duke bërë servilin dhe lëpirësin, sidomos pas marrëveshjes së Berishës me Ramën, ai ka zgjedhur atë që deri më dje bënte ndaj Bashës.
Në një dalje mediatike, deputeti lushnjar, ka deklaruar se “Sali Berisha shikohet si Jezu Krishti i Partisë Demokratike”.
Ndonëse herë pas herë deklaratat e tij kanë qenë kontradiktore, me sa duket, edhe Korreshi është në garë për të siguruar një karrige deputeti në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Se sa do t’ia arrijë, kjo ngelet për t’u parë.
Por deri atëherë, në daljet e tij, nga njëra anë, do ta argëtojë popullin, ndërsa, nga ana tjetër, do t’i bëjë freskët Berishës, pavarësisht se pas krahasimit me Jezu Krishtin, nuk është se ka ngelur ndonjë gjë tjetër më e madhe për t’u thënë në drejtimin e tij.