Gjykata e Posaçme, ditën e djeshme ka dhënë verdiktin për kryebashkiakun e Himarës, Fredi Beleri.
GJKKO vendosi ta dënojë me 2 vjet burg të zgjedhurin e himarjotëve për kryetar bashkie, ndërsa po dje GJKKO dënoi 1.6 vjet burg Pandeli Kokaveshin, por dënimi me burg për të është pezulluar dhe do të qëndrojë 3 vjet në shërbim prove. Dënimi alternativ për Kokaveshin u vendos për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Në fakt, Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar dy vjet e gjysmë burg për Belerin, nën akuzën e blerjes së 8 votave për shumën prej 40 mijë lekësh. Seanca kaloi mes debateve mes të pandehurit dhe gjyqtarit, para se sa trupa të tërhiqej për vendim, ndërkohë jashtë prisnin mbështetësit e kryebashkiakut të Himarës, të cilët kanë reaguar në kor pas dhënies së vendimit për dënimin e tij.
Vetëm pak çaste pas dhënies së vendimit për dënimin e Fredi Belerit, GJKKO me anë të një njoftimi për mediat ka sjellë edhe vendimin e plotë të marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga tre gjyqtarë.
Sipas GJKKO, vuajtja e dënimit për Fredi Belerin nis që nga dita kur është arrestuar, pra më 12 maj 2023. GJKKO thotë se dënimin do ta kryejë në një burg të sigurisë së zakonshme. Fredi Beleri po qëndron në paraburgim që prej zgjedhjeve të majit të vitit 2023, që do të thotë se i kanë mbetur rreth 9 muaj dënim për të shlyer në qeli. Kjo për shkak se ditët e paraburgimit llogariten si një ditë e gjysmë në qelinë normale të burgut