Është e qartë që na duhet një burg i ri për hajdutët e qeverisë. Burgu nuk është hotel, që kur mbushet, thjesht nxjerrim tabelën Vende nuk ka, dhe bëjmë amnisti, që të lirojmë shtretërit. Nuk është numri i shtretërve, që përcakton numrin e të dënuarve, por është parimi Kërkesë-Ofertë: Shtohen kriminelët, shtohen kapacitetet e izolimit të tyre.
Në vetvete është kriminale logjika e socialistëve që kaq vende kemi në burgje dhe duhet bere amnisti, sepse burgjet janë plot dhe duhen zbrazur.
PD mund të propozojë qeverisë, SHBA-ve dhe BE-së, që në kuadër të reformës në drejtësi, të financojnë ndërtimin e një burgu të ri, në mbështetje të SPAK-ut dhe GJKKO-së, si stacioni fundor i punës së tyre kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ai mund të quhet Burgu i Posaçëm, në vazhdim të modelit Prokurori e Posaçme dhe Gjykatë e Posaçme. Ai do të shërbejë edhe si njësi matëse e rezultateve të punës së SPAKU-ut dhe GJKKO, bazuar në numrin e banorëve të tij. Kjo do të lehtësojë edhe mbipopullimin e burgjeve ekzistuese.
Një burg i ri ndoshta duhet edhe për të lehtësuar situatën aktuale të burgjeve. Jemi për zgjerim të mjediseve penitenciare dhe jo për shfrytëzimin e mbingarkesave në burgje si një alibi për amnisti.