Basha thirrje autoriteteve: Ekspozoni agjenturën Jugosllave e Sovjetike në Shqipëri

Kryedemokrati Lulzim Basha ka bërë thirrje që autoriteti i dosjeve dhe institucionet ligjzbatuese në vend të ekspozojnë agjenturën Jugosllave e Sovjetike në Shqipëri.

Kërkesën Basha e ka bërë përmes një deklarate në një eveniment në 33-vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha.

Ai tha se PD do të institucionalizojë kërkesën për ekspozimin e këtyre dy shërbimeve, të cilat sipas tij kanë qenë ndër më armiqësoret ndaj Shqipërisë dhe që gëzojnë mbrojtjen e politikës.

  • Advertisement –
    “Në veçanti në periudhën që po përjetojmë të ringjalljes së rivaliteteve të vjetra gjeostrategjike, të ringjalljes së aspiratave sunduese të Rusisë putiniste dhe aleatëve të vetë të fshehur në Ballkanin Perëndimor, si Serbia e Vuçiçit, është e rëndësishme që autoriteti i dosjeve në bashkëpunim me institucionet shqiptare të ekspozojnë agjenturën e KGB dhe UDB në Shqipëri.

Ekspozimi i agjenturës Jugosllave dhe Sovjetike në Shqipëri, duhet të ekspozohet për një qëllim më të madh, që është siguria kombëtare.

PD do të hedh edhe hapin konkret të institucionalizimit të kërkesës, që këto dy shërbime ndër më armiqësoret, të mos gëzojnë më mbrojtjen e pakuptimtë që u jepet këtyre organizatave që nuk kanë pasur qëllim tjetër veç interesin të minimit të interesave kombëtare shqiptare”, tha Basha.

Latest articles

Related articles