Neokirurgu Kita Sallabanda tha në një intervistë për “Good Morning Albanians” këtë të hënë, se gjatë punës së tij ai ka pasur shumë raste shumë të vështira.
Sallabanda tha se së fundmi kishte pasur një rast shumë të komplikuar ku një studente shqiptare kishte shkuar në Spanjë për tu kuruar nga 8 tumore në kokë.
Mjeku tha se është kujdesur që vajza të marr trajtimin e duhur në kushte të favorshme ekonomike, ndërsa ka shtuar se ishte prekur shumë nga letra që ajo i kishte dërguar pas përfundimit të trajtimit.
“Kisha një rast jashtëzakonisht të vështirë që vinte nga Shqipëria. Pacientja kishte 8 tumore të kokës. Unë jo vetëm që e trajtova këtu në Spanjë, por me kushte jashtëzakonisht të favorshme ekonomike, sepse ajo familje nuk kishte mundësi që të përballonte shpenzimet nga ky trajtim.
Unë nuk e harroj letrën që ajo më dërgoi pasi mbaroi trajtimin, ishte vërtet prekëse. Ajo ishte një vajzë që e kuptonte rëndësinë e sëmundjes së saj. Ajo ishte studente, letra që ajo më dërgoi ishte shumë prekëse. Ky ishte rasti i fundit i dhjetërave rasteve të tilla”,-tha mjeku Sallabanda.