Nënkryetari i PD, Kreshnik Çollaku ka komentuar Federatën e pjesshme të opozitës, pa grupin e Bashës, Shpëtim Idrizin e Dashamir Shehi.
Çollaku tha në një interviste për Report Tv se PD është e hapur për t’u bashkuar aspo bashkëpunuar me çdo parti që bën opozitë me Ramën, por kanë disa vija ndarëse.
Mbështetja e pakushtëzuar ndaj SPAK, ruajtja e marrëdhënieve me aleatët si SHBA dhe figurat e pakorruptuara, Çollaku thotë se janë tre parimet që PD nuk i shkel.
“Historia e koalicioneve nuk është një histori e re në Shqipëri. Është në të drejtën e tyre të bashkohen, i përshëndes dhe u uroj suksese kolegëve që zgjedhin një rrugë alternative me tonën për të kontribuar. Ne jemi të hapur dhe të gatshëm për tu bashkuar me çdo front që bën opozitë me Ramën, por jemi të qartë në parimet.
Qëndrime që i kemi bërë publike, marrëdhënie të pakushtëzuar me aleatët, SHBA, jemi në mbështetje të SPAK pa asnjë hezitim.
Ne jemi të kujdesshëm të paraqesim figura që janë të painfektuara nga procese korruptive. Edhe nëse nuk bashkohemi, mund të koordinojmë punën. Dallimet janë pika të politikës parimore”, tha Çollaku për Report Tv.
Çollaku shtoi se shumë shpejt do prezantojën programin për zgjedhjet e 2025 dhe listën e 140 kandidatëve për deputetë.
“Me synim për të bashkuar bazën, jemi në fazën përfundimtare të këtij procesi. Menjëherë do fillojmë dy procese, hapja e fushatës për 2025, do jenë prezantimi i programit të PD dhe shpallja e 140 kandidatëve që do përfaqësojnë PD si deputetë në zgjedhjet e ardhshme”, tha Çollaku.