Blerim Hoxha, biznesmeni me lidhje në Moskë, pronar i Inceneratorëve! Rama hesht

spot_img

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj në intervistën e dhënë për SyriTv, që u publikua mbrëmjen e djeshme teksa tha se pronari faktik i inceneratorit të Tiranës është Erion Veliaj, përmendi edhe emrin e Blerim Hoxhës.

Ahmetaj tha se ai është një biznesmen shqiptaro-zviceran që zotëron 40 të aksioneve të inceneratorit të Tiranës. Ish-zv.kryeministri nuk iu fut detajeve, por ai tha se një pjesë e informacioneve ishin publikuar në media në lidhje me Blerim Hoxhën.

Por kush është Blerim Hoxha?

Blerim Hoxha ka lindur në Kosovë dhe është me shtetësi zviceriane. Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se ka studiuar për shkenca ekonomike, menaxhim dhe tregëti në Institutin e Studimeve Globale në Universitetin e Gjenevës. Pavarësisht se gëzon 40% të aksioneve të inceneratorit të Tiranës, emri i Blerim Hoxhës dhe e kaluara e tij është përmendur pak. Me kompaninë e tij Tosk Energji, Blerim Hoxha njihet për menaxhimin që i ka bërë ARMO-s deri në vitin 2020.

Tosk Energji është një shoqëri e regjistruar në Shqipëri me administrator Blerim Hoxha. Në tetor të vitit 2016, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave bllokoi një transfertë të dyshimtë 13 milionë euro nga kompania Gunvor për kompaninë Tosk Energji. Gunvor në atë kohë figuronte në listën e zezë të të qeverisë amerikane, pasi dyshohej se një pjesë e aksioneve të saj zotëroheshin drejtëpërsëdrejti nga presidenti rus Vladimir Putin.

Pas bllokimit disa ditor, 13 milionë eurot u zhbllokuan për t’u transferuar në llogarinë e Tosk Energji. Paratë u përdorën për të rivënë në punë ARMO-n. Në tetor të vitit 2016, qeveria shqiptare bekoi rivënien në punë të ARMO-s duke ja dhënë atë kompanisë IRTC, nën pronësi të biznesmenit Besnik Sulaj.

Prezantimin e administratorëve të rinj që morën ARMO-n e bëri vetë kryeministri Edi Rama. Ishte periudha e krizës, kur naftëtarët kishin mbetur pa rroga për shkak të borxheve që kishte lënë pas Rezart Taçi. Naftëtarëve të revoltuar dhe të papaguar, Rama u shkoi në Ballsh me një lajm të mirë. Ai u tha se së shpejti do të vinte një “investitor serioz dhe të vendosur”. Kryeministri u tha se ky investitor e kishte siguruar se do t’i shlyente rrogat e prapambetura dhe se do t’u paguante edhe sigurimet.

Transferta prej 13 milionë euro nga Gunvor tek Tosk Energji u përdor për të garantuar blerjen e lëndës së parë tek Bankers Petroleum. Sipas burimeve të mirëinformuara, Tosk Energji pagoi 13 milionë euro si parapagim tek Bankers që kjo të furnizonte IRTC-në me naftë bruto. Në këmbim, Tosk Energji mori tregtimin me pakicë të karburantit që prodhohej nga IRTC në rafinerinë e ARMO-s.

Qeveria shqiptare ka qenë në dijeni të plotë të gjithë operacionit. Edhe pse Gunvor figuronte në listën e zezë të qeverisë amerikane si kompani e lidhur me presidentin rus Putin ajo u lejua të investonte në Shqipëri. Madje duke shtënë në dorë një nga sektorët më strategjik të ekonomisë, monopolin e rafinimit të naftës.

Administrimi i ARMO-s nga kompania e Blerim Hoxhës dhe nga kompania e Besnik Sulajt zgjati deri në prill 2022. Kriza u zgjat më tej. Tosk Energji i shtoi më shumë borxhet e ARMO-s dhe la rrogat e naftëtarëve pa shlyer. ARMO u çmontua për skrap, ndërsa rrogat e naftëtarëve i pagoi qeveria.

Rreth 75 milionë euro taksa mbetën pa u paguar. Nga tetori 2016 deri në tetor 2017, IRTC prodhoi përmes ARMO-s rreth 160 mijë tonë karburant që u tregua në tregun vendas përmes IRTC dhe Tosk Energji.

Tani emri i Blerim Hoxhës ka dalë sërish në incenratorin e Tiranës por me një kompani tjetër “Icare Energji”. Sipas dokumentave kompania e inceneratorëve Integrated Energy zotërohet nga 3 pronarë. Alberto Presezzi zotëron 40% të kuotave, Max Abitbol po 40% dhe Giuseppe Ciaffaglione 19.9%.

Max Abitbol ka blerë 40% të aksioneve të Geogenix në Hollandë përmes një kompanie të quajtur Icare Holding SA. Kjo ka filialin në Shqipëri me emrin Icare Energji. Administratore e kompanisë rezulton Marigona Metaj, ndërsa anëtarët e këshillit mbikqyrës janë Max Abitbol, Blerim Hoxha dhe Joel Jacques Jean Chevallaz. Emrat janë po ato që menaxhonin ARMO-n dhe shfrytëzonin paratë që vinin nga Rusia.

Ish-deputeti Belind Këlliçi që ka publikuar të dhëna të vazhdueshme për skandalin e inceneratorëve tha se paratë ruse janë në inceneratorin e Tiranës nëpërmjet këtyre personave

Latest articles

Related articles