Më 17 Janar do të mbahet seanca paraprake për Arben Ahmetajn në lidhje me akuzat për privatizimin e shoqërisë “Buka sh.a”.
Ish-ministri i Financave akuzohet për shpërdorim detyre në procedimin penal që njihet si dosja “Buka”, privatizmi i ish-fabrikës së Bukës, ku tashmë ndodhet kompleksi ‘Emerald’ tek rruga “5 Maji” në Tiranë, në zonën e “Medresesë”.
Një procedurë që dyshohet të jetë kryer në mënyrë jo ligjore dhe vlerësohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 7 mld lekë të vjetra.
Sipas dokumentit të SPAK, gjithçka lidhet me ankandin e vitit 2015 për privatizimin e 45.9 për qind të aksioneve të shoqërisë, ku trualli prej 7680 m2 u ishte njohur pronarëve, ndërsa 6370 m2 ishte ndërtesë. Për çështjen Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar në gjykatë edhe përgjime të numrave celularë dhe komunikimet telefonike mes palëve të përfshira në dosje.



