Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të martën se vendi i tij do të ishte i gatshëm për të biseduar me Ukrainën, Shtetet e Bashkuara e Evropën për të ardhmen e Ukrainës, nëse ato dëshirojnë, por se Moska do t’i mbronte interesat e veta kombëtare.
Kreu i Kremlinit, që dërgoi ushtarë në Ukrainë vitin e kaluar, vazhdimisht ka thënë se është i përgatitur për të biseduar për paqe, edhe pse zyrtarë perëndimorë thonë se ai po i pret zgjedhjet presidenciale në ShBA, që mbahen në nëntor të vitit të ardhshëm, para se të bëjë një përpjekje të sinqertë për këtë qëllim, raporton agjencia “Reuters”.
“Në Ukrainë, ata që janë agresivë ndaj Rusisë, dhe në Evropë e në Shtetet e Bashkuara – a duan të bisedojnë? Lërini, por ne do ta bëjmë këtë duke u mbështetur në interesat tona kombëtare”- tha Putini në një takim me udhëheqësit e fushës së mbrojtjes në Moskë.
“Nuk do ta japim atë që është e jona”- shtoi ai.
Rusia kontrollon rreth 17,5 për qind të territorit që nga komuniteti ndërkombëtar njihet si pjesë e Ukrainës, pasi Bashkimi Sovjetik ishte shpërbërë më 1991.
Presidenti rus i akuzoi Shtetet e Bashkuara për shfrytëzim të Evropës për interesa të veta dhe tha se Rusia nuk kishte planifikuar luftë në Evropë.
Sipas tij, anëtarësimi i Ukrainës në NATO “nuk është i pranueshëm për Rusinë pas dhjetë vjetëve dhe nuk është pas 20 vjetëve.



