Nga Federico Giuliani “Il Giornale”
Më 25 qershor Qin Gang u zhduk nga skena. Askush nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur me Ministrin e Jashtëm të Kinës deri kur një muaj më vonë, udhëheqës të lartë të organit legjislativ të Kinës, Komiteti i Përhershëm Kombëtar i Kongresit Popullor (NPCSC), nuk u shprehën gjatë një seance urgjente se çfarë mendonin mbi shkarkimin nga pozicioni që po vazhdonte të mbante zyrtarisht.
Vendin e tij e zuri Wang Yi, që më herët ka mbajtur të njëjtin post në vitet 2012-2022. Midis fundit të gushtit dhe fillimit të shtatorit nga skena u zhduk edhe Ministri kinez i Mbrojtjes, Li Shangfu. Më 29 gusht, Li mori pjesë në forumin e paqes dhe sigurisë Kinë-Afrikë, duke mbajtur edhe një fjalim para audiencës, por ai u zhduk të nesërmen.
Mediat amerikane hipotetizuan se Li është vënë nën hetim për disa raste korrupsioni. Edhe sipas asaj që u raportua nga faqja e internetit Politico, një spastrim i madh po ndodh në Kinë i drejtuar nga askush tjetër përveç liderit të saj Xi Jinping, por me një rol të rëndësishëm edhe të homologut të tij rus Vladimir Putin.
Spastrimet e Xi
Tërmetet politike, valët sizmike të të cilave përhapen nga Zhongnanhai, selia e Partisë Komuniste Kineze, mbeten mister në sytë e Perëndimit. Më 25 qershor, vetëm 6 muaj pasi u bë ministër, Qin u takua në Pekin me ministrat e Jashtëm të Sri Lankës dhe Vietnamit, si dhe me zëvendësministrin e jashtëm rus Andrey Rudenko. Që atëherë, zyrtari besnik i Xi u zhduk nga qarkullimi.
Thjesht një rastësi? Jo sipas disa burimeve. Jo pak njerëz të mirë-informuar besojnë se misioni i vërtetë i Rudenkos në Pekin, përkoi me informimin e Xi Jingping për një fakt shumë serioz, sipas të cilit Ministri i tij i Jashtëm – dhe disa oficerë të lartë të ushtrisë kineze – po bashkëpunonin me agjencitë perëndimore të inteligjencës.
Pas largimit të Qin nga detyra, qarkulluan edhe raportime mbi një marrëdhënie të fshehtë mes ministrit dhe një gazetareje të televizionit kinez Phoenix TV, Fu Xiaotian, me të cilin ka edhe një djalë (që është shtetas amerikan). Këto dhe histori të tjera, kanë qarkulluar gjerësisht në internet me miratimin e dukshëm të autoriteteve kineze.
Roli i mundshëm i Putinit
Sipas burimeve të tjera, arsyeja e vërtetë për zhdukjen e Qin ishte përfshirja e tij hipotetike në një skandal shumë më serioz se sa një flirt kompromentues. Një skandal që do të ketë përfshirë edhe Ministrin e Mbrojtjes dhe gjeneralë të tjerë që komandonin “forcën raketore” kineze, dhe të njëjtin që mbikëqyr programin e armëve bërthamore të këtij vendi.
Duket se zëvendësministri rus Rudenko i kishte dërguar Xi-së një mesazh duke akuzuar Qin dhe zyrtarë të tjerë të lartë të forcave raketore kineze se i kishin kaluar informacione të klasifikuara shërbimeve sekreteve perëndimore. Të njëjtat burime besojnë se Qin vdiq ose duke u vetëvrarë, ose nga torturat, në fund të korrikut në Spitalin Ushtarak të Pekinit.
Por për momentin është e pamundur të konfirmohet ky skenar. “Qin Gang është bërë viktima e parë e fushatës demaskuese, e cila tregon një mosmarrëveshje midis Kinës dhe Rusisë”- theksoi një burim tjetër për portalin Nikkei Asian Riview.
Demaskimi dhe lufta në Ukrainë
Dhe këtu hyn në lojë lufta në Ukrainë. Në maj, një delegacion diplomatik kinez shkoi në Kiev në një përpjekje për të ndërmjetësuar për paqe, padyshim kundër dëshirës së Moskës. Në atë pikë, Kremlini mund të ketë dyshuar se Pekini po e ndryshonte pozicionin e tij ndaj konfliktit.
Sipas të njëjtit burim, qeveria ruse ra më pas dakord të niste një fushatë denigruese ndaj Qin Gang. Pra Ministrit të Jashtëm, personit përgjegjës për dërgimin e delegacionit kinez në Ukrainë. Rusia do ta ketë etiketuar Qin si pro-amerikan, pasi ai kishte shërbyer më parë si ambasador i Kinës në Shtetet e Bashkuara.
Pastaj Moska i kaloi “informacione tek rangjet më të larta zyrtare në Pekin, se ndaj Qin Gang ka dyshime të forta se është një bashkëpunëtor i SHBA-së”, vazhdoi burimi. Ky pretendim erdhi ndoshta së bashku me disa “prova”, si për shembull lidhja e supozuar jashtëmartesore e ministrit. Pas zhdukjes nga skena të Qin-it, Kina u kthye shpejt në pozicionin e saj pro-Moskës në raport me luftën. Kësaj intrige i shtohet më tej një raport i shkurtër i medias shtetërore kineze, i publikuar një ditë përpara se Qin të shkarkohej zyrtarisht nga posti i Ministrit të Jashtëm. Wang Shaojun, komandant që nga viti 2015 i njësisë së Gardës Qendrore – që mbron liderët kryesorë të Kinës dhe mbikëqyr truprojën personale të presidentit Xi – kishte vdekur tre muaj më parë për shkak të “trajtimit joefektiv mjekësor”.