Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, pas denoncimit të një gruaje se ishte vendosur lëndë djegëse në derën e banesës së saj dhe më pas i vunë zjarrin.
Policia njofton se ka arrestuar shtetasit A. D., 34 vjeç, banues në Vorë, dhe A. E., 33 vjeç, banues në Tiranë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 12.12.2023, për motive pronësie, kanë vendosur lëndë djegëse në derën e banesës së shtetases E. Q., dhe e kanë djegur atë.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi A. D., është autor i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 28.11.2023, ku në rrugën “Sali Butka”, është vendosur sasi lënde plasëse.
Sasia e lëndës plasëse u vendos jashtë lokalit të shtetasit Armand Xhaferraj dhe si pasojë e shpërthimit u shkaktuan dëme të mëdha materiale. Xhaferraj deklaroi atëherë se nuk kishte konflikte me askënd. Gjithashtu nga shpërthimi i tritolit në biznesin e tij u dëmtuan edhe dy biznese ngjitur, një zyrë dhe një biznes me pjesë këmbimi për automjete.
Policia ka sekuestruar veshjet të cilat autorët e dyshuar kanë përdorur gjatë krimit.