SIPËRMARRJET SHQIPTARE DHE KOSOVARE NË MADE EXPO 2023

spot_img

Panairi më i madhe i ndërtimit në Itali, një shans për të parë më nga afër përparimet në fushën e softuereve për dizenjimin e shtëpive, produktet kimike inovative të përshtatura për industrinë e ndërtimit, teknologjitë më të avancuara kundër tërmeteve, si dhe zhvillimet më të fundit në lidhje me efiçencën e energjisë

Për katër ditë, Milano, kryeqëndra e financave italiane, u kthye në qendrën globale për sipërmarrësit e industrisë së ndërtimit. Panairi MADE EXPO 2023 ofroi një përvojë vërtetë unike, duke tërhequr mbi 700 drejtues sipërmarrjesh të mëdha dhe të vogla, së bashku me mijëra arkitektë, inxhinierë dhe ndërtues nga vende të ndryshme si Gjermania, Kina, Polonia, Spanja, Rumania, dhe të tjerë. MADE EXPO 2023 ishte një mundësi për të shkëmbyer opinione, të angazhoheshin në diskutime dhe në mbajtjen e ligjëratave për tema të rëndësishme si dizenjimi i qëndrueshëm i ndërtimeve, efikasiteti i energjisë, integrimi i teknologjive të reja etj.

I organizuar nga Made Eventi, nën patronazhin e Bashkisë së Milanos dhe me mbështetjen dhe bashkëpunimin e ICE – Agjencinë Italiane të Tregtisë, panairi mirëpriti dhjetëra mijëra pjesëmarrës. Gjithashtu, ICE – Agjencinë Italiane të Tregtisë orgaizoi grupe blerësish potencialë nga 50 vende të ndryshme, ku dalloheshin kontigjentet nga SHBA-ja, India, Rumania etj. Të pranishëm në MADE EXPO 2023 ishin edhe profesionistët dhe sipërmarrësit nga Shqipëria dhe Kosova, ndër ta BVR Atelier, Studio Archimed, Soni Dural, Andi Grup, Green Line, Leon Konstruksion, etj.

MADE EXPO 2023 shërbeu si një platformë ideale për të shfaqur arritjet më të rëndësishme në inovacion të ekpozuara nga kompanitë italiane dhe ndërkombëtare. Vizitorët patën rastin të kqyrnin më nga afër fjalën e fundit sa i përket softuereve për dizenjimin e shtëpive, produktet kimike inovative të përshtatura për industrinë e ndërtimit, teknologjitë më të avancuara kundër tërmeteve, si dhe zhvillimet më të fundit në lidhje me efiçencën e energjisë.

Kompanitë pjesëmarrëse në panair përfituan nga mundësia për të zhvilluar takime B2B me partnerët dhe kryesorë të këtij eventi. Gjithashtu ata organizuan një seri konferencash informuese duke hedhur dritë mbi projektet më të fundit dhe në fushën e ndërtimit.

Blerta Vula Rizvanolli – Arkitekte, Themeluese e BVR Atelier

Çfarë përfaqëson ky panair për kompaninë tuaj dhe kompanitë e tjera si juaja?

Panaire si Made Expo ofrojnë mundësi të mëdha për rrjetizimin e bizneseve dhe ndarjen e përvojave. Sektori i ndërtimit në Kosovë është ende në zhvillim dhe shumë proçese kryhen manualisht. Në panair ekspozohen zgjidhje të orientuara drejt automatizimit dhe teknologjisë. Ai paraqet një gamë të gjerë të materialeve të qëndrueshme, sistemeve të parafabrikuara si dhe materialeve të rikonstruksionit të përftuara nga mbetjet e ricikluara të ndërtimit.

Në lidhje me rëndësinë e arsimimit të të rinjve dhe afrimit të tyre në industrinë e ndërtimit besoj se kjo është një çështje tejet e rëndësishme. Angazhimi i talenteve të reja është i domosdoshëm për të ngritur industrinë tonë në standarde ndërkombëtare. Entuziazmi dhe potenciali i popullsisë së re mund të çojë në përparime të konsiderueshme. I gëzohem shumë bashkëpunimeve me brezin e ri në kompaninë tonë dhe mbetem e hapur për të afruar energji dhe talente të reja në iniciativat tona.

Kliton Nënaj, Inxhinier Ndërtimi, “Studio Archimed”

Pas vizitës në MADE Expo 2023, cilat inovacione në industrinë e ndërtimit ju impresionuan më shumë dhe si mendoni se këto inovacione mund të integrohen në projektet e kompanisë suaj në Shqipëri?

Ndërtimi i qëndrueshëm dhe i sigurt në një mjedis miqësore me natyrën paraqet një sfidë në rritje për industrinë e ndërtimit në Shqipëri. Kompanitë kërkojnë teknologji dhe materiale inovative, të pajisura me trendet bashkëkohore të dizajnit dhe stilit të jetesës. Gama e gjerë e materialeve dhe zgjidhjeve të shfaqura në ekspozitë ofron mundësi të reja për zbatim.

Cilat sfida specifike të sektorit të ndërtimit në Shqipëri mendoni se mund të adresohen nga zgjidhjet e paraqitura në panair dhe a keni gjetur alternativa të përshtatshme për sfidat me te cilat kompania juaj përballet?

Përmirësimi i efiçencës së energjisë, izolimi dhe komoditeti në ndërtesat ekzistuese duke forcuar strukturat paraqet një sfidë të re, e cila dallon nga metodat tradicionale që janë të përhapura në tregun tonë. Zgjidhjet e rëndësishme të shfaqura në ekspozitë përfshijnë:

  • Seismic Coat: një aplikim i jashtëm i cili krijon ‘fleksibilitet’ të rezistueshëm ndaj tërmeteve dhe që përforcon efiçencën ekzistuese të energjisë. Në panair u demonstruan versione të ndryshme te cilat përdorin teknologji dhe materiale të ndryshme.
  • Skylights: Ku përfshihen mbulesa termike me formë kupole me panele të brendshme në polikarbonat ose xham, të kornizuara në PVC, alumini, etj.
  • Dritare të vogla kupolë dhe sisteme zenithale
  • Dritare tullash, dritare çati, etj
  • Teknologji për restaurimin e ndërtesave
  • Veshje termoizoluese të parafabrikuara me porosi me izolim të përforcuar. Këto veshje ofrojnë izolim termik të njëkohshëm për mbështjelljet e ndërtesave dhe parandalojnë përmbysjen strukturore shkaktuar nga aktiviteti sizmik, si brenda edhe jashtë ndërtesës.
  • Barriera zjarri të pajisura me panele izoluese natyrale ventiluese, jo të djegshme.

Si mendoni se bashkëpunimi ndërkombëtar mund të pasurojë industrinë e ndërtimit në Shqipëri? A keni diskutuar për partneritete potenciale me kompani apo profesionistë ndërkombëtarë?

Sektori i ndërtimit në Shqipëri është në rritje dhe po merr rëndësi si një nga sektorët kyçë të ekonomisë. Pavarësisht rritjes së konsiderueshme në prodhimin vendas të materialeve kryesorë të ndërtimit, ende ka një varësi substanciale nga materialet e importuara. Shumë ekspozitorë në event po kërkojnë hyrjen në tregun tonë, disa prej tyre shprehin interes për prodhimin lokal. Këto zgjidhje dhe teknologji inovative duhet të pranohen nga dizajnerët si hapi fillestar drejt praktikave të qëndrueshme, të sigurta dhe miqësore për mjedisin. Megjithatë, menaxhimi i kostove mbetet një sfidë e rëndësishme.

Faruk Kryeziu, Inxhinier Ndërtimi, Administrator ANDI GRUP

Ky panair është një mundësi e mirë për sipërmarrjet nga Kosova dhe Shqipëria për tu njohur me materiale të reja në fushën e ndërtimit, makineri dhe mjete pune si dhe për të marrë përvojat më të fundit në industrinë e ndërtimit.

Mendoj se Italia është shteti i vetëm i cili ofron mundësira dhe lehtësira të tilla ku sipërmarrjet zhvillojnë takime dhe kontakte me sipermarrjet italiane por edhe nga vende të tjera.

Unë kam një bashkëpunim të herëshem me ICE – Agjencinë Italiane të Tregtisë dhe mund të them se ngjarje të tilla janë tejet të frytshme për sipërmarrjet ndaj është me shume interes pjesëmarrja në MADE EXPO 2023.

Cfare zgjidhjesh ofron ky panair për sipërmarrjen tuaj?

Tregu i Kosovës dhe tregu Shqiptar nuk i mbulon të gjitha nevojat që ka indushtria e ndërtimit dhe këtu e kam fjalën kryesisht për materialet e reja. MADE EXPO 2023 është vendi i duhur ku këto materiale të reja gjenden në mënyrë që tregu i jonë të plotësohet. Gjithashtu këtu mund të gjenden edhe makineri të reja.

MADE EXPO 2023 ofron gjithashtu shumë mundësi për është një mundësi e shkëlqyer për bashkëpunime. Këtu ekspozohen produkte të reja nga vende të ndryshme të botës të cilat lehtësojnë punën në sektorin e ndërtimit.

Dëshiroj të shtoj se në këtë panair vërehet një interes i madh i brezit të ri për të vizituar MADE EXPO 2023 çka nuk e vëren në Kosovë dhe Shqipëri, çka vërtetë na befason. Dëshirojmë që këtë marrëdhënie ta përcjellim edhe në vendet tona pasi kjo industri është vertetë jetike për ekonominë e vendit. Gjithashtu puna në ndërtim është një punë fisnike e cila duhet vlerësuar lart.

Latest articles

Related articles