Nisma e Kishës Katolike në Shqipëri për ndalimin e çdo forme të përhapjes së simboleve dhe parimeve të komunizmit, në ditët e sotme, si shfaqjet e veteranëve çdo 29 nëntor me fotot e dikatorit Enver Hoxha, ka sjellë reagime të shumta pro dhe kundër iniciativës.
Kisha Katolike i ka dërguar një shkresë organeve më të larta shtetërore, ku rendit 6 pika, të cilat shpjegojnë hapat që sipas saj janë të nevojshme për t’u ndërmarrë, për eleminimin e “nuancave” nga periudha komuniste, që mbijetojnë në Shqipërinë e sotme.
Dom Mark Pashkja tha se qëllimi i kësaj nisme nuk konsiston në ndalimin e punës artistike të prodhuar në periudhën e komunizmit në Shqipëri, por në mos lejimin e shpërthimit të simpatisë nga shoqëria shqiptare në ditët e sotme, për atë epokë.
“Jo ndalimit të filmave të periudhës së komunizmit, as veprave të artit që janë prodhuar nga artistët. Kemi propozuar në lidhje me krimin e apologjisë, një ligj që parashikon si krim gjithë ato pjesë ku ekzistenca, pretenca, të apologjohet sistemi komunist dhe figura e Enver Hoxhës.
Të jemi korrekt në raport me historinë dhe të shkojmë drejt nismave të ngjashme që gjenden dhe në Gjermani.
Ne shtrojmë një pyetje. Sa janë të njohur nëpër tekstet e shkollave për shkaqet dhe motivet që sistemi komunist bëri atë që bëri? Cili ishte shkaku i persekutimeve, që Kisha Katolike ishte një ndër institucionet më të goditura. Sa janë në dijeni studentët e sotëm për mungesën e lirisë së shprehjes, idealizmit, çfarë shkakton?,’- u shpreh Pashkja.



