Ata janë të ndarë në mazhorancë dhe opozitë, hedhin akuza nga më të rënda ndaj njëri-tjetrit, por u bashkuan më shumë se kurrë kur votuan projektligjin që do t’u dyfishonte rrogat, pasi për pjesën më të madhe të tyre, kjo është arsyeja që iu futën politikës, të bëjnë sa më shumë lekë.
Deputetët e Parlamentit shqiptar i dëgjojmë çdo ditë të shajnë e akuzojnë kundërshtarët, i dëgjojmë rrallë të ngrenë në Kuvend problemet reale të shqiptarëve, dhe i takojmë çdo 4 vite kur vijnë të na kërkojnë votën, për t’u zhdukur sërish deri në zgjedhjet e ardhshme bashkë me premtimet e tyre boshe.
Ngjarjet e fundit në Parlament, të cilësuara nga opozita si aksion kundër regjimit që mohon të drejtat e tyre, na treguan më së miri interesin e vërtet të deputetëve shqiptarë, të cilët kanë harruar prej kohësh se janë aty për të përfaqësuar popullin dhe jo kryetarët e partive.
Opozita e drejtuar nga Sali Berisha prej më shumë se 1 muaji ka bllokuar çdo mbledhje Kuvendi apo komisioni parlamentar, me justifikimin se mazhoranca po pengon ngritjen e Komisioneve Hetimore për disa çështje. Sigurisht që këto Komisione Hetimore janë të domosdoshme për të hetuar grabitjet që po i bëhen buxhetit të shtetit, por a i shërbejnë vërtet këto komisione shqiptarëve?
Komisioni Hetimor për inceneratorët e ndihmoi SPAK të zbardhte një nga grabitjet më të mëdha që i është bërë qytetarëve shqiptarë, por sërish miliona euro vijojnë të kalojnë në xhepat e të shpallurve në kërkim.
Nga ana tjetër, deputetët e mazhorancës janë kthyer në kukulla që shërbejnë vetëm për të ngritur dhe ulur kartonin jeshil në varësi të urdhrit të “Drejtorit të Teatrit të Kukullave”, kryeministrit Edi Rama, fjala e të cilit është ligj e kaluar ligjit.
Pavarësisht të gjithave, këta deputetë, të majtë apo të djathtë, të zgjedhur nga vota e popullit apo e partisë, e kanë marrë pagën e tyre “kokërr më kokërr”. Madje, me një përllogaritje të thjeshtë, pagesa e tyre për muajin Nëntor ia kalon edhe Lionel Messit.
Duket e çuditshme, por është shumë e vërtetë. Në muajin Nëntor janë zhvilluar 2 seanca plenare, ajo e datës 9 Nëntor që zgjati vetëm 18 minuta dhe ajo e datës 20 Nëntor, e cila zgjati rreth 5 minuta, por kaq mjaftoi që mazhoranca të miratonte në parim një nga ligjet më të rëndësishme, projektbuxhetin e vitit 2024.
Janë vetëm 23 minuta punë për deputetët e Parlamentit, por kaq mjaftojnë që ata në llogarinë bankare të shtojnë 3.3 milionë lekë të vjetra.
Sipas llogaritjeve, një deputet ka marrë 143 mijë lekë të vjetra për 1 minutë punë. Pra, për 1 minutë një deputet shqiptar ka marrë sa pensioni që merr një i moshuar. Nga ana tjetër, sipas përllogaritjeve që kanë bërë mediat më prestigjoze sportive, 8 herë fituesi i “Topit të Artë”, Lionel Messi, merr 91 paund në minutë, ose e konvertuar në lekë, 107 mijë lekë për minutë.
Është e vërtetë që Messit i është llogaritur pagesa edhe kur nuk luan, por Lionel Messi gjeneron të ardhura çdo minutë, ka shitja e fanellave dhe sponsorizimet, ndërsa deputetët tanë kur nuk janë në PArlamnet nuk punojnë për shqiptarët, por shijojnë luksin në shtëpitë e tyre të ngrohta dhe të mobiluara me milionat e mara nga taksat tona.
Te pagesa 3.3 milionë nuk përfshihen dietat, pagesat për telefonin, karburantin dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare, pasi nëse do t’i përfshinim, atëherë do t’ua krahasonim rrogën me Kylian Mbappe, pro më mirë nuk po i futemi shifrave/Ditar.al




